Instruktorja Xhilda Qosaj: Ja disa nga përfitimet e “Kangos”

Në pjesën e dytë të emisionit “Jeto me orën” në RTV Ora ditën e sotme ishin të ftuar Xhilda Qosja, instruktore e disiplinës së kangos dhe dy praktikueset e saj si Marjola Avdulaj dhe Era Ademaj.

Qosja u shpreh se disiplina e “Kangos” është një ndër sportet më të mira për të mbajtur trupin në formë dhe aktiv nëpërmjet tij.

“Kjo disiplinë është shumë e hertshme, një disiplinë energjike që të mban gjithmonë në formë. Kam 13 vite si instruktore, por prej tre vitesh jam bërë pjesë e kësaj disipline. Kam bërë trajnime në Itali për këtë disiplinë në një nga shkollat më të mira të kangos, vajzat atje ishin shumë të disiplinuara.

“Kango” në Shqipëri mesa di unë, ka 10 vite që është si sport. Pra, nuk ka qenë shumë e vështirë për mua. Jemi popull që përshtatemi me çdo gjë, ajo çfarë unë përfitova në Itali nga trajnimi u’a përcolla këtu klientëve të mi. Sot marr benefite pafund nga ata”, u shpreh Qosaj.

 Gjatë bisedës në studio instruktorja Qosja, renditi disa nga benefitet e kësaj disipline, sipas saj janë  “rënia në peshë, rregullimi i posturës, elasticiteti, redukton stresin, të jep energji të mira, shmang plakjen, etj”. Ndërkohë, praktikuesja Avdulaj rrëfeu momentin sesi u bë pjesë e “Kangos”.

“Kam një profesion që shumicën e rasteve qëndroj në zyrë. Ndaj, mendova se ka ardhur koha të merresha me një sport. Ishte pikërisht momenti kur takova zyshë Xhildën dhe më shpjegoi sesi funksionon”, u shpreh Avdulaj.

Ndërsa, për Ademaj siç shihet rrjetet sociale shërbyen si një shtysë për të, për t’u bërë pjesë e kësaj disipline sportive.

“Rastësisht pashë në ‘Instagram’ zyshë Xhildën që publikonte shpesh, mendova me veten pse mos t’a provoj. Duke qenë se unë merrem me modelingun, e pash si të arsyeshme. Më përpara kam pasur shumë pjesë tonifikimi, të sjellë shumë pozitivitet dhe të mban në energji të mirë”, u shpreh Ademaj.

Në përfundim, Qosja përmendi një sërë kategorish që e kanë të ndaluar t’a ushtrojnë këtë sport “njerëzit që vuajnë nga herediskalia, nga sëmundjet e zemrës, etj”