Rusia: SHBA po i shmanget problemit kryesor. Trupat e NATO në Ukrainë, kërcënim ndaj Kremlinit
Rusia ka deklaruar të enjten se Shtetet e Bashkuara dështuan në adresimin e shqetësimit kryesor të Moskës, sa i përket sigurisë në lidhje me Ukrainën.
Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov në një reagim ndaj Blinken tha gjithashtu se SHBA-të i lanë dyert e hapura për bisedime të mëtejshme mes dy vendeve me qëllim uljen e tensioneve.
"Sa i përket përmbajtjes së letrës, ka një përgjigje e cila jep shpresë për një fillim serioz të bisedimeve sa i përket kërkesave të dorës së dytë. Por në letër nuk kishte përgjigje pozitive për pyetjen tonë kryesore."
Lavrov ritheksoi qëndrimin e pandryshueshëm të Kremlinit në kërkesat drejtuar SHBA-ve dhe vendeve anëtare të NATO-s, duke komentuar edhe dërgimin e trupave perëndimore në Ukrainë.
"Çështja kryesore është pozicioni ynë i qartë në mos zgjerimin e mëtejshëm të NATO-s në lindje. Vendosja e armatimeve në territorin e Federatës ruse është kërcënim dhe ky qëndrim nuk doli nga hiçi."
Marrëdhëniet mes Rusisë dhe Perëndimit kanë arritur pikën më të ulët që prej Luftës së Ftohtë, pasi Moska dërgoi dhjetëra mijëra trupa në kufijtë e Ukrainës, duke rritur frikën e një pushtimi.
Rusia e mohon se po planifikon ndonjë pushtim, por i ka bërë thirrje të vazhdueshme perëndimit që të mos anëtarësojë Ukrainën në Aleancën e Atlantikut të Veriut.
SHBA-të të mërkurën dërguan një përgjigje në koordinim me aleatët e saj të NATO-s, duke refuzuar ndalimin e Ukrainës për anëtarësim, por nga ana tjetër ofruan gatishmërinë për një zgjidhje diplomatike të krizës.
