Paralajmërim i fortë nga SHBA: Gazsjellësi "Nord Stream 2" nuk do të funksionojë nëse Rusia pushton Ukrainën
Zëdhënësi i Departamentit të SHBA, Ned Price tha dje, 26 janar, se gazsjellësi "Nord Stream 2", i cili lidh Rusinë me Gjermaninë, nuk do të funksionojë nëse Rusia pushton Ukrainën.
“Dua të jem shumë i qartë: nëse Rusia pushton Ukrainën në një mënyrë ose në një tjetër, Nord Stream 2 nuk do të ecë përpara”, tha zëdhënës i Departamentit të Shtetit.
Megjithatë ai nuk tha nëse Uashingtoni kishte marrë garanci të tilla nga Gjermania. Gjithashtu SHBA kundërshtuan dje kërkesën e Rusisë për të ndaluar Ukrainën t’i bashkohet NATO-s.
Sekretari i Shtetit, Antony Blinken tha se Uashingtoni i kishte përgatitur Moskës një "rrugë serioze diplomatike" për të zgjidhur konfrontimin, në një letër private drejtuar qeverisë ruse.
"Ne e bëjmë të qartë se ka parime thelbësore që ne jemi të përkushtuar t'i mbështesim dhe mbrojmë, duke përfshirë sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, dhe të drejtën e shteteve për të zgjedhur marrëveshjet dhe aleancat e tyre të sigurisë”, tha ai.

