"Gjykatat do të varfërojnë qytetarët", kundërshtohet harta e re gjyqësore në Lushnje

Harta e re gjyqësore e prezantuar nga ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor do të varfërojë më tej qytetarët e Lushnjes.

Në këtë përfundim kanë arritur avokatët e këtij qyteti të cilët kundërshtuan propozimin për hartën e re gjyqësore e cila parashikon zhvendosjen e Gjykatës së Shkallës së Parë nga Lushnja në Fier.

"Në qoftë se një qytetar do vinte sot dhe do harxhonte për shembull 5 lekë në lidhje me problemet që do t'i dilnin për zgjidhje në Gjykatën e Lushnjes, sot do shkojë në Fier do harxhojë 2 lekë më shumë. Komuniteti lushnjar është i varfër, do të varfërohet akoma më shumë."

Me ikjen e Gjykatës, avokatët thonë se do të ikin një sërë institucionesh të tjera, ndërsa barra ekonomike do të bjerrë mbi qytetarin.

"Do të ikë bashkë me Gjykatën zyra e  përmbarimit, do të ikë shërbimi i provës, nuk do të quhet më komisariat policie por do të quhet postë policie. Lushnja po kthehet në një fshat të madh."

Avokatët dhe grupe të tjera interesi kanë paralajmëruar protestë në lidhje me hartën e re gjyqësore. Ndërsa një propozim i tillë është kundërshtuar edhe nga aktorë të tjerë dhe palë të përfshira nga Shkodra në Sarandë.