Masakra e Lushnjës në 2017, GJKKO dënon me burgim të përjetshëm Orges Bilbilin dhe Anterio Kaloshin

Gjykata e Posaçme ka dhënë dënime kapitale me burgim përjetë për dy të akuzuarit si autorë të masakrës së Lushnjes pesë vite më parë. Orges Bilbili dhe Anterio Kaloshi u shpallën fajtorë për vrasjen e dy personave dhe plagosjen e dy të tjerëve në atentatin pranë komisariatit të Lushnjes më 11 tetor 2017. Sipas hetimit, ekzekutimi ka ndodhur si pasojë e përplasjes mes bandave rivale.

Gjykata e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dha dënime me burgim të përjetshëm për dy të akuzuarit si autorë të masakrës së Lushnjes, Orges Bilbili dhe Anterio Kaloshi. Ata u shpallën fajtorë për ngjarjen e rëndë të ndodhur në 11 tetor 2017 pranë komisariatit të policisë së Lushnjes ku mbetën të vrarë shtetasit Zamir Latifi e Jurgen Hoxha dhe u plagosën Marjus Xhepexhiu e Bujar Turku.

Nga atentati i pesë viteve më parë shpëtoi Xhulio Shkurti, nipi i ish-kreut të bandës së Lushnjes Aldo Bare.

Prokuroria kishte kërkuar dënimin e të pandehurve edhe për vrasje të mbetur në tentativë ndaj nipit të ish-kreut të bandës së Lushnjes, por kjo pikë e akt-akuzës u rrëzua nga gjykata.

Togat e zeza pranuan kërkesën e Prokurorisë për shpalljen fajtor të dy të pandehurve për vrasje në rrethana cilësuese ndaj dy ose më shumë personave, në dëm të viktimave Zamir Latifi e Jurgen Hoxha dhe të plagosurve Bujar Turku e Marius Xhepexhiu.

Sipas Prokurorisë kjo ngjarje është kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal. akuza të tjera që prokuroria kishte ngritur ndaj dy të pandehurve ishin edhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal si dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi strukturuar kriminal”.

Atentati i vitit 2017 pranë komisariatit të Lushnjes sipas hetimeve ka pasur si shkak përplasjet e vjetra mes grupeve rivale në qytet ndërkohë që autorët e sulmit u vunë në pranga disa viteve më vonë pas u implikuan në ngjarje të tjera penale. Kështu

Anterio Kaloshi u arrestua në 13 gusht 2020,  pasi bashkë me disa persona të tjerë qëlluan me kallashnikov drejt një Hoteli në Pogradec. Ndërkohë Orges Bilbili u kap në 10 prill 2020 në zonën e Xhamllikut në Tiranë, pasi u plagos nga një efektiv policie të cilit tentoi ti largohej për të shmangur kontrollin.