"Pushteti absolut korrupton", Basha: Themeli që vendi të ecë para janë zgjedhjet dhe vota e lirë
"Pushteti absolut korrupton në mënyrë absolute."
Kështu u shpreh Lulzim Basha pasditen e sotme gjatë një takimi që zhvilloi me të rinjtë e FRPD në Tiranë. Basha tha se vendi mund të ecë përpara nëse në themel ka zgjedhje.
Basha: Themeli janë zgjedhjet, themeli është vota, ndaj kemi propozuar edhe sanksionet për shkatërrimin e zgjedhjeve në Shqipëri të bëhen kaq të forta sa në Itali. Nëse një politikan kapet duke blerë vota dhe mandatin dënohet deri në 20 vjet burg. Dënohet kaq vite sepse vret shpresën duke kapur pushtetin.
"Shqipërisë i duhet një politikë me fytyrë njerëzore."
Basha tha se kjo është një nga arsyet pse duhet rinia. Ai shtoi se kjo që po ndodh është një përplasje brezash dhe kulturash.
Basha: Rinia shqiptare kudo ku është ka një tjetër mënyrë komunikimi që e ruan respektin për njëri-tjetrin. Prandaj ardhja e rinisë është domosdoshmëri sepse është pjesë e kësaj që po ndodh sepse është pjesë e një ndryshimi kulturor. Është ndryshim me një kulturë të kaluar ku po nuk mendove si unë je i shitur, je i marrë peng, je tradhtar, je i pabesë, besëprerë. Pse? Sepse nuk mendoj si ty. Në jetë të përditshme nuk mund të bëhet përpara pa pranuar mendimin ndryshe.
Basha shtoi se për këtë arsye, për të pranuar mendimin ndryshe rinia u ngrit para 30 vitesh. Një politikë me fytyrë njerëzore garantohet vetëm nga vota e lirë, sipas Bashës.
