Qyno: Shpërthimi tek shtëpia e Dukës, gjuhë e grupeve kriminale të Durrësit e Tiranës, që i shërbejnë segmente të caktuara të politikës
“Lufta ka plasur” kështu e komenton gazetari i Ora News, Elton Qyno i ftuar në studion e Ora News për të folur më shumë se çfarë fshihet pas shpërthimit në banesën e Armand Dukës ndodhur mbrëmjen e 24 janarit 2022.
“Pamjet janë të rënda për mënyrën si është vepruar dhe objektivi dhe mesazhi që është dashur të jepet. Ngjarja shkon tek mënyra e komunikimit që bën krimi i organizuar i ndërlidhur me politikën lokale dhe qëndrore në Shqipëri” thotë Qyno.
Gazetari i njohur investigativ thotë se prokuroria duhet të hetojë dhe zbardhë autorët pasi ky shpërthim vjen në kuadër të një sulmi që bashkia e Tiranës ka bërë ndaj FSHF-së.
“Mes FSHF-së dhe bashkisë së Tiranës e qeverisë ka pasur një kacafytje prej ditësh ndërkohë që dje u shfaq fuqishëm me audiopërgjimin dhe më pas shpërthimi."
"Veprimi, është komplet kriminale është gjuhë e grupeve të strukturuara kriminale të Durrësit e Tiranës që i shërbejnë segmente të caktuara të politikës të cilët nuk kanë frikë as nga polica e as nga Armand Duka, përvecse janë në interesin e kryerjen e një shërbimi të caktuar të politikës” thotë ai.
Në Durrës janë shoqëruar mbi 10 persona si të dyshuar por ende nuk ka një autor dhe me rëndësi është se kush është urdhëruesi dhe porositësi.
Kur kanë mbetur gati një muaj nga zgjedhjet në FSHF lufta do të jetë e hapur.
“Ditët në vazhdim do të kemi surpriza të tjera, por dhëntë zoti të mos kemi ngjarje kriminale. Por sigurisht lufta do të jetë e hapur” tha Qyno në studion e Ora News me gazetarin Arnold Kariqi.
