Albin Kurti irriton fqinjët/ Maqedonia e Veriut thirrje Kosovës të heqë masën e vaksinimit
Vendet e rajonit janë mërzitur nga masa që ka marrë qeveria e Albin Kurtit për hyrjen në Kosovë, pasi që nga e shtuna do të lejohen të hyjnë në vend vetëm personat e vaksinuar me të tria dozat e vaksinës.
Ministri i Shëndetësisë të Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali njoftoi se ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij kosovar Rifat Latifi ku i kërkoi këtij të fundit lehtësira për shtetasit maqedonas për të hyrë në Kosovë.
Ministri maqedonas thekson se masa kufizuese i ka shqetësuar qytetarët pasi shumë prej tyre kanë lidhje familjare, biznesi e detyrime të tjera që i lidhin me Kosovën.
Protesta paqësore janë mbajtur edhe në Doganën e Morinës, nga banorët e Kukësit të cilët shprehen se masat e qeverisë së Kosovës i kanë privuar nga aktivitetet e përditshme pasi janë detyruar të paguajnë rreth 30 euro për test anticovid, duke qenë të vaksinuar me dy doza.
Edhe nga Lugina e Preshevës janë shprehur se masat e reja janë penalizuese për shqiptarët që jetojnë në Serbi.
Kreu i Komunës së Bujanocit Nagip Arifi i ka dërguar një letër kryeministrit Kurti për të hequr detyrimin për 3 doza vaksine për të hyrë në vend.
Në letrën dërguar Kurtit, Arifi shkruan se detyrimi për dozën e tretë, apo edhe ajo me dy doza dhe test negativ po e pamundëson lëvizjen e qytetarëve, duke kërkuar rishikimin e vendimit.
Nga 22 janari, Kosova ka hapur kufijtë vetëm për personat mbi 12 vjeç që kanë marrë të tria vaksinat, ose dy doza dhe test negativ PCR.

