Kovaçevski s’ka nge për zgjedhje:Vendi në krizë energjitike, qytetarët të lodhur. VMRO e konsideron ilegjitim

Dy partitë më të mëdha në Maqedoninë e Veriut VMRO dhe LSDM kanë nisur debatet edhe me ardhjen e Kovaçevskit në krye të ekzekutivit. Opozita kërkon zgjedhje, ndërsa LSDM thotë se qytetarët janë lodhur nga zgjedhjet.

Partia më e madhe opozitare në Maqedoninë e Veriut, VMRO-DPMNE përmes një deklarate ka njoftuar kjo forcë politike ka mbështetjen më të madhe të qytetarëve.

Sipas partisë konservatore, VMRO ka besimin e 22,5% të maqedonasve, ndërsa partia në pushtet LSDM, 17,9%.

Ata shtojnë gjithashtu se besimi i qytetarëve ndaj të djathtës rritet, ndërsa mbështetja për LSDM-në ulet.

Përsëri sipas VMRO-së, kreu i kësaj partie, Hristjan Mickoski gëzon mbështetjen më të madhe krahasuar me politikanët e tjerë dhe kjo është arsyeja që Kovaçevski nuk zhvillon zgjedhje. 

"Kryetari Mickoski gëzon 17.7% të qytetarëve, ndërsa Dimitar Kovaçevski vetëm 5.5%. Kovaçevski i di sondazhet dhe për këtë shkak iu ikën zgjedhjeve. Kryeministri nuk ka legjitimitet dhe për këtë arsye vendi duhet t’iu drejtohet zgjedhjeve të parakohshme parlamentare".

Lidhur me deklaratat e opozitës, LSDM ka thënë se VMRO përhap lajme të rreme dhe se zgjedhjet e parakohshme do të kishin kosto marramendëse teksa vendi përballet me krizën energjetike.

"Ndërsa shteti përballet me krizë energjetike, Mickoski dhe VMRO-DPMNE në vend që të japin zgjidhje, kërkojnë zgjedhje të parakohshme parlamentare për të bllokuar proceset dhe për të frenuar ekonominë. Kjo është papërgjegjshmëri dhe sjellje egoiste në dëm të qytetarëve".

LSDM shton gjithashtu se qytetarët janë të lodhur nga zgjedhjet dhe se ekonomia pret mbështetje për krizën, jo proces të ri zgjedhor.