Vajza nga Praga, që u bë Ministre e Jashtme amerikane dhe e çliroi Kosovën
Më 23 janar 1997, si sot para 25 vitesh, presidenti Bill Clinton e emëroi Madeleine Albright ministre të jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ishte e para grua në këtë post dhe e para emigrante, e lindur jashtë Amerikës. Albright u lind më 15 maj 1937 ne Pragë. 25 anëtarë të familjes së saj u vranë në kampet naziste.
Babai i saj Josef Körbel ishte diplomat çekosllovak, më vonë profesor i politikës në universitetin e Denverit në SHBA. Dhjetë ditë para se ushtria naziste të marshojë në Pragë, familja e Albright u vendos në Londër.
Më 1945 Josef Körbel u kthye me familjen e tij në Pragë. Në vjeshtën e vitit 1945 ai u emërua ambasador i Çekosllovakisë në Beograd, ku jetoi me familjen e tij deri më 1948. Pas puçit komunist në Pragë, familja fitoi azil në SHBA. Janë disa personalitete që e bëjnë historinë.
Në historinë e Kosovës emri i Madeleine Albright do të shkruhet me shkronja të arta. Përjetësisht. Gjeneratë pas gjenerate.
Në foton e parë: përkushtimi më i mirë që kam marrë ndonjëherë në jetën time.
Në foton e dytë: Madeleine Albright në ballinën e revistës së famshme TIME në vitin 1999. Në vitin kur ndryshoi historia e Kosovës... dhe erdhi liria!



