Lame përsërit apelin: Aplikoni në grup për legalizimet, nuk bëhet procedura për një apartament
Banorët në pallatet ku pronari nuk ka ndjekur procesin e hipotekimit apo kur në objekt ka shtesa mbi lejen e ndërtimit duhet të aplikojnë se bashku për të marrë legalizimin.
Me këtë apel kreu i Kadastrës i është drejtuar të gjitha familjeve, duke theksuar se vetëm në këtë mënyrë do të kenë mundësinë e marrjes së tapisë.
"Bashkë, jo si në kohën e Skënderbeut se nuk na doli shumë për mbarë, por të bëhemi bashkë se përndryshe nuk ka si legalizohet një apartament i vetëm."
Një numër i lartë aplikimesh për pallatet janë bërë nga individët, por Lame shpjegon dhe arsyet që nuk e vë dot në lëvizje Kadastrën.
"Na vijnë veç e veç dhe thotë pse nuk na e bën, çfarë ti bëj unë një njeriu të vetëm në një pallat të tërë."
Deklaratat Lame i bëri në Selitë të Tiranës gjatë shpërndarjes së legalizimeve për disa objekte nga ku veçoi dhe rolin e administratorëve.

