Tensionet në PD, Murrizi: Basha e Berisha kanë jetuar si urithi me plepin. Pushteti i Ramës më kujton PD e ‘97


Ish-deputeti i PD Myslim Murrizi, ka komentuar situatën e tensionuar brenda PD.

Në një intervistë për Ora News, është shprehur se Shqipëria prej 31 vitesh është drejtuar dhe qeverisur nga bijtë e komunistëve,

Myslim Murrizi: Ky vend është drejtuar 31 vite si nga PS si nga PD, nga ish-bashkëpunëtorët e sigurimit të shtetit që këta i kanë pasur të rekrutuar. Kjo Shqipëri në 31 vite është qeverisur nga bijtë e komunistëve të cilët nuk kanë  guxuar të hapin dosjet se janë spiunë, dhe këta i kanë intimiduar me dosjet që mbajnë në dorë.

Ai tha se përplasja mes Berishës dhe Bashës ka qenë që prej vitesh, por që konflikti mes tyre doli ën pah pas 9 shtatorit, kur Basha bëri me dije vendimin për përjashtimin Berishës, nga grupi parlamentar.

Myslim Murrizi: Unë e kam parë përplasjen Berisha- Basha prej kohësh. Ju ka pëlqyer të dyve ta shesin te demokratët. Bashës i ka ardhur mirë të thotë që unë jam kot aty se i bën Berisha, ndërsa Berishës i ka ardhur mirë që ta dinë demokratët se Berisha është faktor akoma. Kanë jetuar si urithi me plepin. Pas 25 prillit ajo përplasje doli sipër tavolinës dhe pas 9 shatorit i gjithë ai kabsillëk i akumuluar në shpirtrat e hipokritëve ka dalë sheshit.

Ndërkohë për Kryeministrin Rama tha se është në trashje të zollumit të tij, ndërsa shtoi se ky pushtet i tepruar i tij, i kujton dhe PD e ’97.

Myslim Murrizi: Rama është në trashje e sipër të zollumit të tij, në një pushtet të pakufishëm, në një arrogancë që mendon se i ka të gjithë si ato manekinët që komandon me telefon që i quan zv.ministra, janë tre ministra në një zyrë.  Sot Fatmir Xhafaj e dha sot. Mua më kujton PD, e 96 ky pushtet i tepruar i Ramës.