"36 orë pa ujë para garës", rrëfehet kampioni i botës në 'Bodybulding' Marin Meksi

Marin Meksi 37 vjeçari nga Tirana i apasionuar pas sportit dhe diplomacisë. Ishte i ftuar ditën e sotme në studion e “Jeto me Orën” për të folur për karrierën e tij dhe arritjet e shumta në sport. 

Prej 17 vitesh, Marini ka shërbyer si diplomat në Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Shqipërisë me disa misione diplomatike te suksesshme si në Budapest të Hungarisë, Bern të Zvicrës si dhe në Principatën e Lihtenshteinit.

“Bodybulding është thelbi i sportit dhe shumë specifik, duhen përgatitje dhe shumë element” u shpreh Meksi.

Ai tregoi edhe për rrugëtimin drejt titujve që ka marrë.

 “Kam pasur shumë mbështetje nga të gjithë, të jesh një sportist i mirë duhet të jesh familjar i mirë, shok i mirë e më pas sportist i përkushtuar”  u shpreh Meksi.

Ai tregoi fillimet e tij në sport, ishte vetëm 14 vjeç, kur u angazhua për herë të parë në këtë sport, më pas nuk u ndal më për asnjë moment. 

“Ka ndodhur shumë natyrshëm, në fëmijëri nuk isha shumë i shkathët, në adoleshencë shoqërohesha me miq me moshë më të madhe dhe kjo ishte zanafilla e sportit. Dhe ditët e para të palestrës kur fillova ndryshimet të gjithë tërhiqen unë nuk u tërhoqa” u shpreh Meksi.

Ai tregoi se familja ka qenë kundër këtij sporti.

 “Këto lloj sporti kanë një paragjykim të madh sidomos në një familje intelektualësh. Më tepër nga babai ka pasur kundërshtime pasi këto janë sporte force dhe japin një ide ndryshe. Ndërsa miqtë nuk çuditen më nuk surprizohen më nga unë pasi kam marrë shumë çmime. Mbështetje kam gjetur shumë nga familja, miqtë, mbështetje nga shtetet e Kosovës dhe Shqipërisë dhe nga populli” u shpreh Meksi.

Një vit më parë, ai u dekoruar me titullin “Mjeshtër i madh” nga “Presidenti i Republikës së Shqipërisë” Ilir Meta, për kontributet e spikatura si kampion absolute në sportin e “bodybuilding-ut” profesionist dhe “fitness-it”, duke shënuar rezultate të shkëlqyera në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare. Ai tregoi edhe për planet e së ardhmes.

“Do e vijoj aty ku e nisa pra nga vendi im u detyrohem shumë dhe duhet të jap kontributin tim siç po e jap ne media. Tani do kemi edhe kampionatin ballkanik në Beograd” u shpreh Meksi.

Aktualisht ai është pjesë e “Drejtorisë Konsullore në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme”. 

“Unë jam shumë i fiksuar pas historisë, mesjetës marrëdhënieve të dikurshme. Kohët e fundit i kam kushtuar një vëmendje të veçantë edhe studimeve të heraldikës shqiptare dhe rrënjëve, ku kam hulumtuar në arkivat e Vatikanit, Londrës etj. Ka qenë një spunto që familja ime ka qenë pjesë e një kulture të hershme që unë t’i kushtohem kësaj pune”  përfundoi Meksi. 

Ai tregoi se një nga misionet e tij më të bukura ka qenë në Budapest.