“Noizy dhe Rina më kanë bllokuar në rrjetet sociale” gazetarja flet për karrierën: Intervista më e mirë me Mamaqin

Në pjesën e tretë të emisionit “Jeto me orën” në RTV Ora ishte e ftuar në lidhje ‘Skype’ gazetarja kosovare që mbulon rubrikën rozë, Edona Gashi. Ajo foli rreth misionit të gazetarisë, duke u ndalur tek skandalet dhe miqësitë që shpesh herë krijohen mes të ftuarve për të nxjerrë lajmin e vërtetë. 

Ajo u shpreh se është shumë e rëndësishme krijimi i marrëdhënies dhe raporti me të ftuarin për t’a intervistuar. Ndër personazhet e fundit të intervistuar si më të mirë përmendi artistin Ermal Mamaqi.

“Realisht është e vështirë të intervistosh personazhet, artistët, dhe marrjen e informacionit që t’i dëshiron. Por, duhet me pas dhe krijuar një raport me ta, që të arrish intervistat. Ka nga ata personazhe që duan të bisedosh me ta të diskutosh me ta, por ka edhe nga ata që duan të mbash raportet personale. Në fakt unë personalisht pëlqej t’i ruaj këto raporte. Deri tani emisionet e mija kam pas personazhe që i kam njohur, por kur i kam personazhe që nuk i njoh apo që di rreth tyre sot nuk është e vështirë për të mësuar rreth tyre. Pasi, e zhvilloj intervistën si një bashkëbisedim me të ftuarit. Intervista e fundit me Ermal Mamaqin, ka qenë një ndër intervistat më të mira”, u shpreh Gashi.

Ndërsa pyetjes se cilat janë personazhet më të vështira ajo u përgjigj se “njerëzit e vështirë nuk i marr, pasi ata e kanë vështirësi me veten, jo më me mua”.

Më tej ajo përmendi disa artistë që ka prishur marrëdhëniet shoqërore, por edhe profesionale, si reperin Noizy dhe artisten Rina Bala.

“Janë prish raportet e mija me disa personazhe, pas një interviste që kam dhënë. Rina Bala, është një ndër personazhet që më ka hequr nga çdo rrjet social, pas asaj që unë kam thënë në studio, dhe pse thashë atë që është. Reperi Noizy ka qenë një ndër artistët që më ka bllokuar, dhe pse ai është shumë i mirë, por me atë që bëri nuk meriton të mbështetet, pasi ai u shpreh në rrjetet e tij sociale që mediet nuk e kanë përkrahur për projektin e tij të fundit. Dhe pse është e kundërta, ka pasur përkrahje dhe shpërndarje”, tha më tej ajo.

Ndërkohë, pyetjes se cili nga artistët, personazhet ka pasur dëshirë ta ftoj në emision dhe nuk ka mundur, ajo përmendi artisten Melinda Ademaj.

”Melinda Ademaj, është një ndër personazhet që  kam dashur t’a ftoj në emision, dhe kam folur me menaxherin e saj për t’a pasur disa herë, por siç duket ende nuk ka mundur të vij. Pavarësisht, se unë personalisht ja kam dhënë mbështetjen sa herë ka qenë nevoja kësaj artistje”, përfundoi ajo.