Mijëra "pilula xhihadiste" me mbishkrim nazist, gjendet ngarkesa misterioze në ishullin grek
Një ngarkesë misterioze me pilula të dyshuara për lëndë narkotike është gjetur në bregdetin e ishullit grek Rodos.
Autoritetet po hetojnë rastin e çuditshëm, pasi mesditën e 13 janarit u gjetën dy thasë, në një distancë rreth 100 metra nga njëri-tjetri, që përmbanin gjithsej 90 qese plastike me tableta, që dyshohet të jenë lëndë narkotike të tipit “CAPTAGON" (ose ndryshe të ashtuquajtura "pilula xhihadiste").
Mësohet se disa prej tabletave me pilula të dyshuar për lëndë narkotike janë dëmtuar nga uji i detit.
Bëhet fjalë për 181,800 pilula në total, citon "I Kathimerini".
Mesditën e së njëjtës ditë, Autoriteti Portual i Rodos u njoftua nga Stacioni Portual i Megistit (Kastelizo) se u gjetën 40 pako me tableta, të dyshuara drogë.
Autoritetet greke kanë vënë re se tabletat kanë mbishkrime me simbolin e svastikës, që është përdorur nga partia naziste gjatë luftës së dytë botërore.
Ndërkohë autoritetet përkatëse po kryejnë hetimet për zbardhjen e origjinës të lëndës narkotike.
Dyshohet se ngarkesa me pilulat me drogë që ka përfunduar në bregdetin e ishullit të jetë pjesë e një ngarkese më të madhe që është trafikuar apo konfiskuar ose në Turqi, ose në një vend tjetër në Mesdheun juglindor.

