Editoriali i “DREJT” - Berisha në prokurori
Ndryshe prej qasjes së vet ndër vite kur jo vetëm ka refuzuar të shkojë në prokurori sa herë e kanë thirrur, por edhe nuk e ka konsideruar atë duke e akuzuar shpesh herë si të përdorur politikisht, thirrjes së fundit për të dëshmuar mbi çfarë ndodhi në protestën e 8 janarit të organizuar para selisë qendrore të Partisë Demokratike, Sali Berisha i është përgjigjur në mënyrë korrekte me vajtjen në organin e akuzës.
Paradoksalisht, çështja që po heton prokuroria dhe për të cilën janë thirrur të dëshmojnë si zoti Berisha ashtu edhe zoti Basha e pasuesit e tyre, ka palë në fakt të njëjtën palë; Partinë Demokratike!
Sepse ajo u bë vetë edhe objekt, edhe subjekt i dhunës së vet.
Pas përleshjeve “me pekule” të palëve në selinë e Partisë Demokratike; njëra për ta marrë e tjetra për të mos e lënë, beteja tani vazhdon sa në hapësirën virtuale e mediatike, po aq edhe në Prokurori me akuza dhe kundërakuza.
Ajo që bën më shumë përshtypje është se intensiteti i këtyre akuzave sa vjen e rritet, spektri i tyre bëhet edhe më i gjerë, aq sa zoti Berisha është shprehur sot pasi doli nga Prokuroria se “Përveç Gardës, Basha mbrohej edhe nga fondamentalistë, nga vrasës të kthyer nga Siria!”.
I menjëhershëm ishte edhe reagimi i palës tjetër.
Me anë të një qëndrimi zyrtar, Partia Demokratike është shprehur se: “Mashtruesi kronik, sërish sot u mundua të gënjejë shqiptarët për atë që e gjithë bota e pa, dhunën e planifikuar dhe urdhëruar nga Sali Berisha”.
Në pamje të parë duket se kemi të bejmë vetëm me një parodi groteske, por në fakt e në thelb, e gjitha kjo që po ndodh, nxjerr në pah fallsitetin dhe kalbësinë e forcës më të madhe të opozitës në vend, e cila a thua vërtetë pas 9 shtatorit e zbuloi që Berisha na qenka “mashtruesi kronik” dhe “urdhëruesi i dhunës apo se Basha na qenka i përfshirë në skema të pastrimit të parave të pista aq sa Berisha u kërkon organeve të zbatimit të ligjit në vendet partnere hetimin e tij?
Me gjasë kjo histori do të vazhdojë gjatë.
Dhe sa më shumë të vazhdojë, aq më zbuluar e për turp shfaqen në sytë e shqiptarëve protagonistët antagonistë të saj, por ndërkaq, ky turp e kjo marri na bën pis të gjithëve.
Shqipërisë me njëmijëenjë halle e probleme, Shqipërisë së zhytur në korrupsionin e inceneratorëve dhe të Partneritetit Publik Privat, Shqipërisë që i duhet të paguajë 400 milionë euro nga gjyqet e humbura në arbitrash, edhe dhuna e balta e Partisë Demokratike i mungonte që bota të krijojë pamjen reale të saj.

