Ra në krye të detyrës, Gledis Nano i dhuron stemën e policisë familjarëve të Saimir Hoxhës
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano, në kuadër të 109-vjetorit të krijimit të Policisë së Shtetit, në shenjë vlerësimi e kujtimi të emrit dhe veprës së Dëshmorëve të Policisë, mesditën e sotme, ka vendosur kurorë me lule në Memorialin kushtuar Dëshmorëve të Policisë, në Akademinë e Sigurisë.
Më pas, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, në emër të Shoqatës së Policisë Shqiptaro-Amerikane, i dorëzoi familjarëve të Dëshmorit të Policisë Saimir Hoxha, stemën e Policisë të gdhendur në dru, në shenjë vlerësimi dhe mbështetjeje.
Po në kuadër të 109-vjetorit, Drejtor Nano ka uruar të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit.
“Gëzuar 109-vjetorin e krijimit të Policisë së Shtetit. Mirënjohje e falënderim për përkushtimin dhe sakrificat tuaja dhe të familjeve tuaja. Bashkërisht për sfida më të mëdha, në të mirë të qytetarëve," tha Nano.
Policia e Shtetit feston sot 109-vjetorin e krijimit të saj. Në ceremoninë e mbajtur në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, kryepolici Gledis Nano apeloi vartësit e tij të mos shpërdorojnë besimin e qytetarëve, të sillen humanë me ta dhe të ashpër me shkelësit e ligjit.

