Bozdo: Basha ka vite që dhunon PD-në, policia ndërhyri dhe helmoi me gaz demokratët

Ish-funksionari i PD-së, Eno Bozdo i ftuar në RTV Ora u shpreh se personi që ka ushtruar dhunë periodike në PD është Lulzim Basha.

Sipas tij, demokratët erdhën për tu futur në seli atë ditë 8 janari, pasi Komisioni i Rithemelimit kishte dhënë ultimatumin, pasi sipas tij selia nuk mund të mbahet me zor.

Bozdo: Personi që ka ushtruar dhunë periodike është Lulzim Basha. Basha duhet të reflektojë, që është çelësi i kësaj zgjidhjeje. Dhuna sistematike që u ka shkaktuar Basha institucioneve të PD-së, dhunë që ka filluar me vendimmarrje personale. Vendimmarrja e tij i ka kushtuar edhe zgjedhjet e 25 prillit me djegien e mandateve dhe shkatërrimin e karrierave në PD, shto këtu edhe humbjen sistematike, kjo është dhuna më e madhe që Basha ka bërë gjatë gjithë kësaj kohe.

Ose niveli i atyre që diskutojnë tashmë në PD është i ulët, ose jetojnë në një realitet virtual dhe nuk po e kuptojnë se çfarë po ndodh në PD, opozitë dhe në Shqipëri. Kur dëgjon pastaj për skenarë vrasjeje brenda PD-së është qesharake. Ata janë frikësuar normalisht, por ama nuk përmendin gazin e hedhur mbi demokratët. Demokratët erdhën për tu futur në seli atë ditë. Komisioni i Rithemelimit kishte hyrë disa herë në seli. Gjithmonë me mirëkuptim me pjesën tjetër, pasi selia nuk mund të mbahet me zor. Selia pas afatit 5 janar, filloi të blindohej në një mënyrë të pabesueshme, në këtë moment njerëzit që shkonin atje nuk shkonin vetëm për të trokitur në derë, pasi kishte dyer hekuri, dhe prandaj duheshin hapur dyer. Ajo ishte shprehja e një zemërimi ekstrem i anëtarësisë së PD-së me Bashën.

Bozdo shtoi se në 8 janar kishte një ndërhyrje të mirëmenduar të policisë së shtetit, që helmoi demokratët qëllimisht.

Bozdo: Askush nga ata që ishte brenda në PD nuk është prekur pasi nuk ka pasur të plagosur, ndërsa demokratët poshtë janë gjuajtur me objekte të ndryshme dhe lëndë kimike. Pjesa brenda vetëm u tremb, por viktimat ishin jashtë. Pastaj kishin ndërhyrjen e policisë në mënyrë të planifikuar dhe demonstruesit e PD-së u helmuan në mënyrë të ftohtë me gaz. Unë kam qenë në Lanë dhe policia ka gjuajtur edhe në skarpatë të Lanës, për t’i helmuar demokratët.