“Autokratët, rrezik për Ballkanin”, Meta: BE të ndëshkojë liderët e rajonit që shtantazhojnë me të shkuarën
Nga Maqedonia e Veriut, presidenti shqiptar Ilir Meta i ka kërkuar Bashkimit Europian që ta bëjë pjesë të saj Ballkanin Perëndimor, por të mos lejojë autokratët që të shantazhojnë njëri-tjetrin në rajon me politika të rrezikshme të së shkuarës. Për Kreun e Shtetit, Ballkani i Hapur nuk ka objektiva të paqartë, ndërsa menjanon Kosovën.
Presidenti Ilir Meta mendon që qetësia dhe siguria në rajon arrihet vetëm nëpërmjet vlerave europiane dhe jo me politika për ndryshimin e kufijve.
Kreu i Shtetit i bëri thirrjeve Bashkimit Europian që të tregohet e kujdesshme me liderët e Ballkanit Perendimor, pasi po tentojnë të shantazhojnë stabilitetin e rajonit për interesa të pushtetit të tyre.
"Nuk mund të jetë zgjidhje rivizatimi i kufijve dhe vetë Evropa duhet të ketë një qasje më strategjike për Ballkanin Perëndimor," tha Presidenti.
Sërish presidenti Meta i ka dalë kundër nismës Vuçiç-Rama-Zaev për Ballkanin e Hapur, pasi sipas tij është një projekt me objektiva të paqarta.
"Mes iniciativave që më shumë krijojnë polemika se sa japin rezultate. Një shqetësim i imi është edhe pozita e Kosovës," tha Meta.
Meta nga Shkupi i bëri thirrjeve shqiptarëve që të përqafojnë standardet europiane dhe të bëhen faktor i qëndrueshmëm në Ballkan.
"Në rajonin tonë nuk ka kombe të mëdha dhe kombe të vogla. Në rajonin tonë duhet të ketë vlera evropiane," tha Meta.
Presidenti nënvizoi se një shqetësim thelbësor për rajonin mbetet eksodi i të rinjve shqiptarë për të punuar dhe jetuar në Perëndim.

