Noka: I bëra thirrje prokurorisë të hetojë dhunën ndaj demokratëve, Spartak Brahon dhe pengun Basha
Deputeti Flamur Noka pasi ka dalë nga prokuroria ku dhe ka dëshmuar për protestën e 8 janarit, në një deklaratë për mediat është shprehur se i ka kërkuar prokurorisë që të hetojë dhunën e ushtruar ndaj demokratëve nga policia e shtetit.
Në fjalën e tij ai tha se protesta e zhvilluar para PD ishte paqësore, ndërsa ka shtuar se i ka kërkuar prokurorisë të hetojë dhe Spartak Brahon dhe Sokol Bizhgën pasi sipas tij këto të fundit kanë shkaktuar panik dhe terror te demokratët.
Flamur Noka: Me datë 8 janar shqiptarët dhe ndërkombëtarët, panë që bunkeri krijuar në selinë e PD nga pengu ishte i autorizuar ideuar nga pengmarrësi. Arsyeja e vetme është pengmarrja e opozitës. Ne sot me urdhër të pengmarrësit isha i thirrur në prokurori për një protestë, legjitime demokratike dhe më paqësorja e zhvilluar ndonjëherë. Unë i bëra thirrja prokurorisë të hetojë për një mashtrim publik, që pengu ju ka bërë shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve më datë 18 dhjetor, duke sajuar numra të gënjeshtra, duke gënjyer dhe mashtruar dhe ndërkombëtarët duke falsifikuar firma. Në 5005 emrat që pengu u la lexuar si delegatë ka edhe të vdekur, ka edhe njerëz që nuk ekzistojnë fare. I bëra thirrja prokurorisë të hetojë dhunën e ushtruar nga policia mbi demokratët në shtëpinë e tyre. I bëra thirrje prokurorisë që të hetojë edhe Spartak Brahon, i cili që ka përhap terror dhe panik. I kam bërë thirrje prokurorisë edhe Sokol Bizhgën që ushtrojë terror mbi demokratët.
Noka tha se shteti dhe pushteti duhet të hetojnë pengun, banditët me të cilët kishte mbushur shtëpinë e lirisë, duke lënë të nënkuptohet se fjala është për Lulzim Bashën.
Noka mbërriti në organin e akuzës rreth orës 12:07 minuta, ndërsa Sali Berisha ka përfunduar dëshminë e tij pak më parë.
Noka gjendet nën hetim dhe për organizimin e tubimit para selisë blu. Po ashtu nesër është kërkuar të paraqiten dhe Lulzim Basha si dhe Gazment Bardhi.
Ky i fundit deri më tani akuzohet për organizimin e rezistencës brenda selisë, ku fillimisht u tha se janë përdorur lëndë kimike si dhe është qëlluar në drejtim të protestuesve.
