"Pleqtë si lypësit" Të moshuarit të pakënaqur nga pensionet: Nuk dalin as për ilaçet. Pa fëmijët s'kemi çfarë të hamë
Ditën e djeshme, Kosova vendosi të rrisë shumën e përfitimit të skemave të pensioneve. Të gjitha pensionet në vend do jenë mbi 100 euro.
Po në Shqipëri çfarë ndodh? A janë të kënaqur të moshuarit nga pensionet që marrin? Sa është pensioni minimal në vendin tonë?
Kjo ishte tema e rubrikës Vox Pop me Enkin në emisionin "Ditë e Re" në ekranin e RTV Ora.
Edhe në këtë rast qytetarët shprehen të zhgënjyer duke thënë se pensioni që marrin nuk u del as për shpenzimet bazike të muajit. Madje disa prej tyre thonë se kanë humbur vitet e punës, e si rrjedhojë nuk përfitojnë pension.
Një tjetër qytetar tha se detyrohet të punojë në të zezë, duke ditur që kjo do e penalizojë për pensionin në të ardhmen.
Ndërsa një qytetare tjetër thotë se pensioni 70 mijë lekë nuk i del, e për pasojë detyrohet të punojë, që të nxjerrë shpenzimet e muajit.
Të moshuarit thonë se pa ndihmën financiare nga fëmijët nuk do ia dilnin mbanë me shpenzimet.
Disa nga përgjigjet e qytetarëve:
"Pleqtë si lypësit e rrugëve, po mos kenë fëmijët ngordhin, nuk kanë çfarë të hanë."
"Gjyshja ime merr 120 mijë lekë pension dhe nuk i dalin as për ilaçe."
"Janë skandaloze pensionet në Shqipëri."
"70 mijë lekë pension nuk më dalin, shkoj edhe punoj."
"Këtu nuk ka pensione, pjesa më e madhe janë të pasiguruar. Janë si puna ime, punojnë në të zezë si puna ime. Mezi jetojmë tani për momentin, për më vonë nuk e di se çfarë do ndodhi. Po largohen të gjithë nga vendi."
"M'i kanë djegur vitet e punës, nuk kam pension, do më mbajnë fëmijët."



