Infeksionet nga Covid prekin kulmin e 2 viteve pandemi por masat kufizuese nuk ndryshojnë
Infektimet e reja me Covid në Shqipëri kanë shënuar rritje rekord në dy javët e fundit, por Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur të mos marrë asnjë masë shtesë për pandeminë. Ekspertët e Shëndetësisë pranuan se Shqipëria po kalon pikun e infektimeve por e lanë në dorë të qytetarëve zbatimin e kufizimeve në një kohë kur mbajtja e maskës thuajse është harruar.
Komiteti Teknik i Ekspertëve pranon se situata e pandemisë në Shqipëri ka kapur pikun e infektimeve, por nuk e shikon të arsyeshme të shtojë masat anti-Covid.
Në mbledhjen e radhës, anëtarët e Komitetit e lanë në dorë të qytetarëve mbajtjen në kontroll të situatës, duke kërkuar zbatimin e masave aktuale anti-Covid.
Rakacolli: Një rritje e konsiderueshme e rastëve është vënë re, në grupmosha të reja deri te fëmijët por e pashoqëruar me të njëjtin ritëm me shtrimet në spital. Niveli i masave mbrojtëse që kemi sot për sot është në përputhje mer zhvillimet epidemiologjike. Nuk do të ketë ndryshime.
Në qarkullim janë dy variantet e koronavirusit, Delta dhe Omicron si dhe virusi i gripit.
Tomini: Ka reflektuar një incidencë javore tepër e rritur. I atribuohet qarkullimit të varianteve Delta dhe Omicron por edhe reflektimit të grumbullimeve në festat e fundvitit. Aktualisht në vend qarkullon dhe virusi i gripit. Të treja po bëjnë një qarkullueshmëri dhe infektueshmëri në nivele të larta. Shtrimet në spital kanë një qëndrueshmëri. Këto ditë kanë reflektuar pikun më të lartë të pandemisë të hapur në vend në këto 2 vjet.
Lidhur me vaksinimin sfidë mbetet sensibilizimi i të rinjve.
Bino: Kemi pasur shifra të larta të vaksinimit. Ka një rritje të atyre me dozë të parë. Është 42.4% e popullatës e vaksinuar me një dozë, me të dyja dozat 38%. Sfidë kemi vaksinimin e të rinjve, që vihet re më shumë në vendet europiane krahasuar me Shqipërinë. Në moshat mbi 60 vjeç kemi një mbulesë të lartë vaksinale.
Në spitalet Covid, nuk mungojnë pacientët e moshave të reja por as gratë shtatzëna për të cilat ka qenë e nevojshme ndërhyrja për lindje të parakohshme.
Komiteti Teknik i Ekspertëve pranoi se në Shqipëri masat anti-Covid nuk zbatohen siç duhet, por as kontrollet sipas zëvendësministres Mira Rakacolli nuk kanë pasur ndikimin e nevojshëm.
Masat që mbeten në fuqi janë kufizimi i lëvizjes pas orës 23:00 deri në 6:00 të mëngjesit, përdorimi i maskës në ambientet e brendshme, ndalimi i grumbullimeve dhe zhvillimi i aktiviteteve sportive dhe kulturore ne 30% numrit të spektatorëve.

