Dhunoi një qytetar pas “Festës së Verës”, pezullohet pas tre muajsh polici në Pogradec
Një punonjës policie në Pogradec është pezulluar nga detyra pasi akuzohet se ka ushtruar dhunë ndaj një qytetari më datë 3 tetor 2021. Ai ka bërë denoncim në polici por nga ana e prokurorit është marrë vendim për të mos nisur hetimet. Më pas ai ka bërë një denoncim në një emisionin , dhe pas transmetimit të programit mbrëmjen e sotme punonjësi i policisë është pezulluar.
"Më datë 03.10.2021, në ambientet e Komisariatit, është shoqëruar nga punonjësit e patrullës së përgjithshme shtetasi E. M., banues në fshatin Trebinjë, Pogradec, pasi gjatë "Festës së Verës", në Pogradec, në gjendje të dehur, ky shtetas kishte prishur qetësinë publike. Pasi është intervistuar nga ndihmës/specialisti i Policimit në Komunitet, shtetasi E.M., është lënë i lirë," thuhet në njoftimin e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë.
Më pas shtetasi E.M., ka bërë kallëzim pranë Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave, në Korçë, se dy punonjësit e policisë të patrullës së përgjithshme në Pogradec, kishin ushtruar dhunë fizike ndaj tij. Pas kryerjes së veprimeve procedurale, materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, ku nga ana e prokurorit të çështjes, është marrë vendimi për mosfillimin e procedimit.
Pas transmetimit të rastit në emisionin "Stop" mbrëmjen e sotme, ndaj punonjësit të policisë G.H., është marrë masa e pezullimit nga detyra.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, për të nisur menjëherë hetimin disiplinor për shkelje të rëndë.
