Kosova rrit pensionet, jo më nën 100 euro

Kosova ka vendosur të rrisë shumën e përfitimit të skemave të pensioneve. Gjatë një mbledhjeje qeverie, është vendosur që të gjitha pensionet në vend të jenë mbi 100 euro.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfertave, Hekruan Murati gjatë një konference për mediet njoftoi kategoritë që do të përfitojnë rritjen e pensioneve.

Ministri njoftoi se nga skema e re do të përfitojnë rreth 175 mijë persona në Republikën e Kosovës.

“Kategoritë përfituese nga ky vendim janë pensionet bazike që kishin vlerë prej 90 euro, pensionet e aftësive të kufizuara që kishin vlerë prej 75 euro, pensionet familjare që kishin vlerë prej 90 euro, si dhe pensionet invalidore të punës që kishin vlerë prej 90 euro.Si rezultat i ketij vendimi, rreth 175 mijë pensionmarrës nga kategoritë e mësipërme do të përfitojnë nga rritja në pensione. Ky vendim paraqet një hap të rëndësishëm drejt përmbushjes së objektivave nga Programi Qeverisës 2021-2025, veçanërisht për ngritjen e mirëqenies sociale në vend,” tha Murati.

Ministri i Financave njoftoi edhe një ndryshim lidhur me likuiditetin e pensioneve. Murati njoftoi se marrja e pensioneve do të zhvendoset nga java e fundit e muajit në datat 15 deri 17 që nga janari i këtij viti.

Murati tha ndër të tjera se vendimi i sotëm është një hap i rëndësishëm për ngritjen e mirëqenies sociale në vend dhe përmbushjes së Programit qeverisës së Kurtit.