"Pesë vende të BE po na mbajnë peng", Peci: Çështja e Kosovës zgjidhet pas zgjedhjeve në Serbi

Kreu i Institutit Kosovar për Zhvillime Politike në Kosovë ka dhënë një intervistë lidhur me dialogun Prishtinë -Beogradit, duke thënë se çështja zgjidhet pas zgjedhjeve presidenciale në Serbi dhe 5 vendet e BE që nuk njohin ende Kosovën kanë rol kyç në zgjidhjen e ngërçit. 

Drejtori i Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime Politike, Lulzim Peci ka dhënë një intervistë për Kosova Press ku ka folur për marrëveshjen përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.

Peci shprehet se marrëveshja mund të vijë pas mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale në Serbi në 3 prill të këtij viti dhe se nëse ka vullnet politik nga të dyja palët çështja zgjidhet pasi dy shtetet i dinë temat e diskutimit.

“Marrëveshja mund të arrihet pas zgjedhjeve presidenciale në Serbi nëse ka vullnet nga të dyja palët. Unë mendoj se marrëveshjes Kosovë-Serbi nuk i nevojitet më shumë se 2-3 muaj që të arrihet, pasi dihen çështjet që duhen diskutuar, diskutimi i tyre nuk merr kohë më shumë se kaq. Mirëpo nevojitet vullneti politik i të dyja palëve por po ashtu edhe nga presioni i bashkësisë ndërkombëtare që do ta ushtrojë në raport me Beogradin dhe Prishtinën”, tha Peci.

Peci thotë se mosnjohja e Kosovës nga 5 vendet e Bashkimit Evropian i ka dhënë një avantazh të madh Serbisë dhe Uashingtoni dhe Brukseli duhet të dialogojnë me këto 5 shtete për njohjen e Kosovës.

“Këtu e kemi një defekt shumë të madh për vendin tonë në aspekt struktural, sepse mosnjohja nga pesë vendet e BE-së, i ka dhënë një avantazh shumë të madh Serbisë në Bruksel dhe në këtë aspekt unë mendoj që këto biseda, të cilat do të mbahen mes Kosovës dhe Serbisë, për rregullimin e raporteve të tyre, duhet të përcillen edhe me biseda paralele të Uashingtonit dhe të Brukselit me pesë vendet mosnjohjese, sepse ky nuk është një proces një dimensional, por duhet të bëhen negociata me këto shtete se në çfarë kondita do të njohin pavarësinë e Kosovës dhe çfarë rezultati duhet të ketë ky dialog që ato të njohin pavarësinë e Kosovës”, thotë ai.

Ish-ambasadori Peci thekson se njohja nga pesë vendet e BE-së dhe 4 shtetet e NATO-s është e domosdoshme, në mënyrë që mosnjohja nga Serbia të mbetet problem vetëm i Beogradit, jo i Kosovës.

“Unë nuk pres që tani Serbia të njeh Kosovën në mënyrë eksplicite. Mirëpo, për ne është me rëndësi njohja nga pesë vendet e BE-së, apo nga katër të NATO-s, sepse me njohjen e tyre njohja e Kosovës do të bëhet problem i Serbisë dhe jo i Kosovës, ata do të kenë problem kur dëshirojnë të hyjnë në Bashkimin Evropian”, ka përfunduar Peci.

Kosova e cila e ka shpallur pavarësinë në 17 shkurt 2008, nuk njihet ende nga Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja.