"Adoptova Lulzimin apo Eduardin?!" Batuta e Berishës shkakton të qeshura, vlonjatja: Doktor, mbaj dy dhoma e kuzhinë në PD, Bashës jepi aneksin
Ndalesën e tij në kafe me deputetët demokratë dhe përfaqësues të medies e shfrytëzuan dhe qytetarë, mbështetës të ish-kryeministrit Berisha, për të ndarë me këtë të fundit opinione rreth asaj që po ndodh dhe pritet të ndodhë nesër në PD.
Një qytetare nga Vlora i vuri në dukje Berishës se ai gaboi me mbështetjen që i dha Bashës, duke e konsideruar si një birësim të kreut të PD nga ish-kryeministri.
Berisha nuk i kurseu batutat përballë këtij fakti, duke pyetur nëse kishte birësuar si djalë Bashën apo Eduard Selamin.
Kjo shkaktoi të qeshura mes të pranishmëve.
Por simpatizantja e PD-së insistoi që Berisha dhe Basha ti zgjidhin konfliktet me qetësi, duke i propozuar që nga dy dhoma e kuzhinë që është selia e PD-së, ti lënë Bashës aneksin.
Në përgjigje Berisha tha se Basha është në të drejtën e tij të qëndrojë në këtë parti si fraksion.
Pjesë nga diskutimi
Berisha: Të qëndrojë për tu bërë fraksion në PD, është në statut. Gjithçka është e zgjidhur nga ana ligjore. Ai do që të qëndrojë lider i shumicës, unë nuk…
"Gabimi juaj doktor është se ju adoptuat një fëmijë".
Berisha: Cilin adoptova unë, këtë (Bashën) apo Eduardin (Selamin)?
"Të dy. E adoptuat dhe mua më kujtonte gjithmonë filmin "Beni ecën vetë", sa herë herë që shikoja figurën e Lulzimit thosha "Beni ecën vetë" dhe e çuat në fshat ta bënit burrë. Vajti në fshat dhe nuk u burrërua. Tani lidership ai nuk ka, se vlonjat lind dhe burrë lind. Lidershipin ju e keni, ju u munduat ti jepni lidership atij. Ai është një djalë i adoptuar që kërkon dhomën e gjumit. Unë mendoj që meqenëse keni në Partinë Demokratike dy dhoma dhe një kuzhinë jepini aneksin. Nuk ka nevojë për luftë për nesër. Jepi aneksin."
Berisha: Fraksioni.
"Jepini aneksin dhe demokratët të mbajnë dy dhoma dhe një kuzhinë."
Berisha: Nuk është i përjashtuar.
"Le të mbajë aneksin."
Berisha: Po të dojë fraksion pa asnjë diskutim.
"Doktor shihemi nesër".


