Shpopullim në Maqedoninë e Veriut, të rinjtë po ikin masivisht

Termi shpopullim është mjaft i njohur në vendet e Ballkanit Perëndimor, e duket se të njëjtin fat po përjeton edhe Maqedonia e Veriut. Të rinjtë, të cilët po largohen masivisht nga vendi për një jetë më të mirë thonë se sistemi në Maqedoni është jofunksional.

Këto janë pamjet nga qyteti Vallandovo në Maqedoninë e Veriut, bizneset janë të mbyllura dhe rrugët janë të boshatisura.

Vendi kandidat për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian po braktiset masivisht nga të rinjtë, të cilët janë në kërkim të një jete më të mirë. 

Një e re tregon më konkretisht arsyet pse vendi braktiset nga bashkëmoshatarët e saj.

"Po bëhet vërtet e vështirë, jemi mbyllur në një sistem jofunksional. Ka shumë padrejtësi, mosfunksionim, është bërë tepër e vështirë për të filluar nga e para dhe për të përmirësuar jetën".

Anëtari i Këshillit komunal rinor, Bojan Nikolov, thotë se emigrimi vjen si pasojë e qëndrimit për kohë të gjatë i të rinjve me prindërit e tyre.

"Problemi kryesor është mungesa e jetesës për të rinjtë, ata qëndrojnë këtu dhe largohen shumë vonë nga banesat e prindërve. Ata krijojnë familje shumë vonë dhe më pas mendojnë se e vetmja zgjidhje është emigrimi".

Drejtori i Institutit të Statistikave të Maqedonisë së Veriut, Apostol Simevski tregon se ¼ e popullsisë rrezikon të largohet nga vendi.

"Emigrimi është problem në çdo vend të botës, por veçanërisht për vendet e vogla me pak banorë. Nëse më shumë se një e katërta e 2.4 milionë banorëve largohen nga vendi, atëherë duhet të shqetësoheni seriozisht për këtë fenomen".

Ende nuk ka asnjë garanci se të rinjtë do të qëndrojnë në Maqedoninë e Veriut edhe nëse vendi anëtarësohet në Bashkimin Evropian.

Në Kroaci, që prej 2013 kur vendi u anëtarësua në BE, janë larguar rreth 250 000 kroatë.