Kosova shpall gjendjen e emergjencës me energji elektrike, Kurti falenderon Ramën për ndihmën
Me 57 vota për, asnjë kundër dhe 17 abstenime deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar vendimin e Qeverisë për shpalljen e gjendjes emergjente me energji elektrike.
Qeveria e Kosovës gjatë mbledhjes së 51-të ka marr vendim që ta shpallë emergjente gjendjen energjetike, e cila do të vlejë për 60 ditë.
Gjatë konferencës për media, Albin Kurti falenderoi kryeministrin Edi Ramën për ndihmën që Shqipëria i ka dhënë Kosovës lidhur për ndihmën me energji elektrike.
Kurti gjatë një konference për medie, është shprehur se kompensimi me nga ana e Kosovës do të bëhet gjatë verës kur Shqipëria ka më së shumti nevojë për rrymë.
“Ne e falenderojmë kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama për mbështetjen. Ministrja e jonë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli e ka bërë një kërkesë të tillë ndaj Shqipërisë, për shkak se jemi komplementar, ne kemi termocentrale ata kanë hidrocentrale dhe bëhet fjalë për dy ditë e më pastaj ne do të kemi mundësi t’i ndihmojmë në rast të nevojës, pra verën e vitit të ardhshëm. Edhe Shqipëria nuk ka ndonjë bollëk që të na ndihmojë neve, por në kushtet që i ka, Shqipëria ka shprehur vullnetin të na ndihmojnë”, tha Kurti.
Sipas dokumentit të publikuar nga Zyra e Kryeministrit Kurti, masat emergjente në furnizim me energji përfshijnë vendosjen e kufizimeve në furnizim me energji për konsumatorët dhe vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë.
Përmes këtij vendimi është vendosur edhe për themelimin e Komitetit Teknik Emergjent në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë – ky Komitet do të përbëhet nga një përfaqësues i Ministrisë së Ekonomisë, një nga ZRRE, një nga KOSTT, një nga KEK-u, një nga KEDS, një nga KESCO, një nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, një përfaqësuese nga MPB-ja, një nga Komisioni për Miniera dhe Minerale dhe një anëtarë nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli gjatë diskutimit ka thënë se miratimi i këtij vendimi, nuk do të thotë se masat do të vendosen menjëherë.
“Një shpallje e tillë nuk do të thotë marrja e masave të menjëhershme, por do të thotë marrje e masave për furnizim për konsumatorët. Miratimi i këtij vendimi do të thotë zbatim i menjëhershëm i masave. Propozimi i kësaj do të thotë vendosja e masave na afat për 60 ditë nga hyrja në fuqi, mirëpo Kuvendi mund ta vazhdoj këtë situatë”, tha Rizvanolli.
“Miratimi i këtij vendimi, nuk do të thotë se masat do të vendosen menjëherë, por ia jep të drejtën Qeverisë të ndërmarr masa sipas nevojës, andaj ju ftoj ta miratoni këtë vendim”, ka shtuar ajo.
