Shqipëria nga sot anëtare me mandat dy vjeçar në Këshillin e Sigurimit të OKB: Do ta përdorim për të avancuar çështjen e Kosovës

Pas një viti jo të suksessëhm pasi i përket integrimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, 2022 të paktën do ta gjejë Shqipërinë me një mandat të përkohshëm në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Lajmin e dha vetë ministrja e Jashtme Olta Xhaçka së bashku me një urim për shqiptarët.

Sot është dita e parë e Shqipërisë si anëtarë jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB ( 1 janar 2022 - 31 dhjetor 2023).

"Kjo ditë e parë e vitit të ri vjen për shqiptarët me një lajm vërtet të mirë. Sot, Shqipëria fillon mandatin e saj dy vjeçar në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Që sot ekipi ynë i diplomatëve në Nju Jork do të ketë të drejtën të marrë pjesë në mbledhjet e Këshillit të Sigurimit si një anëtar jo permanent, do të ketë të drejtën të prezantojë qëndrimet e Shqipërisë për adresimin e çështjeve më të nxehta të sigurisë në botë. Do të ketë privilegjin të influencojë me forcën e ideve dhe eksperiencës sonë diskutimet mbi kërcënimet më të mprehta që rrezikojnë sot paqen e stabilitetin" tha ministrja e Jashtme Olta Xhaçka në një videomesazh.

Në këtë mandat 2 vjeçar, Shipëria sipas ministres Xhaçka, dot ë lobojë për njohjen e shtetit të  Kosovës.

“Kjo është një arritje për të cilën duhet të ndihet krenar çdo shqiptar kudo në botë. Duke filluar nga vëllezërit e motrat tona në Kosovë sepse padyshim që Shqipëria do ta përdorë këtë mundësi për të avancuar çështjen e Kosovës, procesin e njohjeve dhe anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare sepse Kosova ka qenë, është e do të jetë një kauzë e shenjtë për Shqipërinë.

Do të punojmë për shqiptarët, por do të punojmë edhe për rajonin tonë për të konsoliduar arritjet e dekadave të fundit e për mos ta lënë atë të rrëshkasë drejt destabilizimit e tensioneve.

Do të punojmë me aleatët e partnerët tanë për të avancuar së bashku agjendën e prioriteteve tona të përbashkëta, duke konsoliduar kështu akoma më shumë lidhjet e forta që na bashkojnë.”
tha Xhaçka.

Edhe në këtë vit të radhës, sfida kryesore e diplomacisë shqiptare mbetet anëtarësimi i Shqipërisë në familjen europiane dhe plotësimi i kushteve të vënë nga unioni dhe shteteve kritike.