Skuadra iu kthye kundër në revoltë, trajneri i njohur largohet nga ekipi
Jorge Jesus nuk është më trajner i Benficas. Pas disa ditësh spekulimesh për të ardhmen e tij në vazhdën e interesit nga Flamengo për ta riemëruar atë, dhe pas humbjes 3-0 ndaj rivalëve të “urryer” të Portos në Kupën e Portugalisë, trajneri 67-vjeçar është larguar përfundimisht.
Një vendim që vjen dy ditë përpara se skuadra të luajë sërish me Porton në një ndeshje vendimtare në kampionat.
Në mediat vendase shkruhej për një revoltë të lojtarëve, pas një grindjeje mes kapitenit të klubit Pizzi dhe Jesus duket se e ka nxitur vendimin, e për të shmangur edhe më tej thashethemet për shkarkim apo dorëheqje, klubi mori një vendim të prerë.
Benfica konfirmoi zyrtarisht lajmin e largimit në një lëvizje shumë të pazakontë teksa presidenti Rui Costa dhe Jorge Jesus mbajtën një konferencë të shkurtër të përbashkët për shtyp në kompleksin stërvitor Seixal të Benfica-s për të konfirmuar përfundimin e marrëdhënies së tyre të punës.
“Padyshim që nuk ishte mënyra se si ne donim të përfundonte”, tha Costa, ndërsa trajneri Jesus dukshëm i emocionues tha se gjithmonë ka dashur të jetë pjesë e zgjidhjes dhe kurrë të bëhet një problem për Benfikën.
Pa asnjë pyetje nga gazetarët e pranishëm, njoftimi përfundoi me të dy të përqafuar duke konfirmuar kështu një bashkëpunim prej “zotërinjsh”./Ora News/.
