22 vjeçari arrestohet sapo hyn në Rinas. Shqiptari me banim në Belgjikë kërkohej në Holandë për vrasje, vjedhje e pastrim parash

Një person i kërkuar nga Holanda për vrasje në rrethana cilësuese dhe një sërë akuzash të tjera është arrestuar sapo kishte hyrë në Republikën e Shqipërisë.

Personi i ndaluar është identifikuar me inicialet M.A, banues në Belgjikë.

”Ky shtetas u kap në hyrje të Republikës së Shqipërisë dhe u arrestua me qëllim ekstradimi, pasi gjatë përpunimit të dokumentacionit dhe shkëmbimit  të informacionit me Interpol Tiranën, rezultoi se ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Holanda, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, “Vjedhja me dhunë”, “Pastrim parash” dhe “Shkatërrimi i pronës”, parashikuar nga Kodi Penal i Holandës” informoi sot policia e shtetit.

Personi në kërkim ndërkombëtar u dërgua në ambientet e paraburgimit të DVP Tiranë, në dispozicion të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.