Nisin “hallet” e dimrit/ Durrësi nën ujë, era lë pa energji malësitë, probleme dhe nga bora
Nga kjo e hënë, 17 dhjetor, problematikat e dimrit nisën sërish. Durrësi u përmbyt nga reshjet e shiut që kanë krijuar rrëshqitje në disa rrugë në vend. Era e fortë ndërkohë ka lënë pa energji shumë zona malore, pasi ka dëmtuar rrjetin shpërndarës. Thethi në Shkodër u izolua sërish nga dëbora por borëpastrueset e ARRSH bënë të mundur hapjen e saj nën në orët e drekës.
Durrësi u përmbyt sërish nga shiu. Shumë rrugë në qytetin bregdetar ishin nën pushtetin e ujit mëngjesin e të hënës pas reshjeve të nisura gjatë natës.
Niveli i ujit kishte kaluar troturaret duke vështirësuar lëvizjen e këmbësorëve.
Por as drejtuesit e mjeteve nuk e kishin më të lehtë me makinat që ngjanin si varka.
Situata më problematike u krijua në lagjen 18, ku kolektorët edhe një herë dështuan të përballojnë prurjet.
Për pasojë të motit të keq me shi dhe erë, në Durrës dhe Vlorë u pezullua lundrimi për peshkarexhat dhe anijet e vogla.
Deti Jon arrin forcën 8 ballë dhe krijon dallgë deri në 2.5 metra lartësi, ndërsa në Adriatik forca e detit shkon në 4 ballë.
Pavarësisht kushteve të përkeqësuara, tragetet e linjave me Italinë kanë vazhduar normalisht punën.
Reshjet e shiut dhe temperaturat e ulta kanë përfshirë të gjithë vendin duke krijuar probematika.
Për të dytën ditë radhazi, përroi i Sopotit në Lazarat ka dalë nga shtrati duke vështirësuar lëvizjen e banorëve të lagjes "Lënxat".
Pasojë të rrëshqitjeve të dherave pranë Bistricës u bllokua edhe rruga nacionale Gjirokastër-Sarandë, ndërsa problematika ka edhe në akse të tjera në të gjithë vendin.
Në zonat malore reshjet janë në formën e dëborës. Në Shkodër, rruga e Thethit është bllokuar nga dëbora që arrin 80 cm. Dy borëpastruese të angazhuara në këtë rrugë bënë të mundur hapjen e saj në orët e drekës.
Stuhia ka rikthyer edhe problemet me energji elektrike në Gjirokastër, Fier, Fushë Krujë, Lezhë dhe Tiranë.
Siç njofton OSHEE rreth 90% e defekteve janë shfaqur në zona rurale dhe rurale të thella, pasi furnizohen nga linja ajrore.

