Italia njeh vitet e punës, pas Ora News edhe Rama njofton lajmin e mirë për shqiptarët
Qeveria italiane pritet të miratoje brenda vitit të ardhshëm marrëveshjen me Shqipërinë për njohjen e pensioneve në të dy shtetet. Tashmë në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm qeveria e Mario Draghit ka përfshirë dhe një amendament për fondet që do të jepen për njohjen e viteve të punës që shqiptarët kanë në vendet e tyre. Pas lajmit të transmetuar nga televizioni Ora Neës një ditë më parë, vendimi konfirmohet dhe prej kryeministrit Edi Rama
“Në vazhdën e komunikimit me qeverinë italiane dhe partitë politike për marrëveshjen e pensioneve, Parlamenti Italian ka përfshirë në projekt-buxhetin e Italisë për vitin 2022 edhe një amendament për nisjen e procesit të njohjes faktike të pensioneve të shqiptarëve me kontribute pune në vendin mik“
Paralelisht me fondet duhet që senati italian të miratojë marrëveshjen e përbashkët, e cila do të ligjërojë vitet e punës për bashkëkombësit që kanë punuar në të dy anët e Adriatikut
“Vazhdojmë kontaktet deri në aprovimin përfundimtar të projekt-buxhetit 2022 dhe me këtë rast u shpreh mirënjohjen në emër të shqiptarëve në Itali, kryeministrit Mario Draghi, ministrit të jashtëm Luigi di Maio, të cilët janë angazhuar personalisht për ta zgjidhur këtë çështje kaq jetike për aq shumë shqiptarë të mirë në Italinë mike, si edhe të gjithë të tjerëve që dashamirësisht janë përfshirë në këtë përpjekje të përbashkët”
Sipas buxhetit afatmesëm, qeveria italiane parashikon 7.9 milionë euro në vitin 2023 për njohjen e pensioneve për emigrantët me kombësi shqiptare. Fondet do të jenë në rritje deri në vitin 2032 kur do të preket niveli I 20 milionë eurove.
