Mega-afera e incineratorëve, Kryemadhi zbardh skemën se si përfitoi deputeti i PS-së, Alqi Bllako

Deputeti i Partisë Socialiste, Alqi Bllako, ka përfituar nga afera e incineratorit të Tiranës 125 mijë euro, shumë të cilën e ka marrë nëpërmjet pagave të babait të tij, në një situatë të pastër të konfliktit të interesit. Denoncimi vjen nga kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi e cila i kërkon SPAK-ut që të bëjë sa më parë hapjen e letrave të pandorës për mega-aferën e incineratorit të Tiranës.

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, ka reaguar sërish në lidhje atë që ajo e cilëson si megaafera e inceneratorit të Tiranës.

Sipas Kryemadhit, deputeti i Partisë Socialiste, Alqi Bllako, ka përfituar nga kjo aferë 125 mijë euro, të cilën e ka marrë nëpërmjet pagave të babait të tij, në një situatë të pastër të konfliktit të interesit.

Nisur nga ky rast, kryetarja e LSI-së deklaron se “Letrat e Pandorës” së Tiranës duhen hapur sa më parë.

Monika Kryemadhi shprehet se brenda dhe jashtë vendit, interesi është në rritje që SPAK-u dhe institucionet e reja të drejtësisë, të zbardhin sa më parë të vërtetën e tre inceneratorëve, dhe të ndalojnë vjedhjen shtetërore që përditë zbras xhepat e qytetarëve për të mbushur llogaritë në offshore të zyrtarëve të Rilindjes dhe individëve lidhur me ta.

“Ndiq paranë”, është formula që propozon Kryemadhi në video denoncimin e saj.