Komenti i Taulant Ballës për Veliajn me ushtrinë e këshilltarëve, 200 mijë euro në vit për mentoret
Kryetari i grupit parlamentar e quan përpjekje për destabilizimin skandalin e rrjedhjes së databazës me të dhënat personale dhe pagat e 690 mijë shqiptarëve.
Një skandal që Balla beson se ka “dëmtuar edhe një herë marrëdhënien shumë të rëndësishme mes punëmarrësit dhe punëdhënësit”
Po a është normale që maxhoranca të pranojë në heshtje faktin që Veliaj këshillohet nga 17 persona me rroga të majme?
Taulant Balla: “Në momentin që prokuroria hyn në hetim asnjë nuk duhet të hyjë në komente. Mbështes hetimin e plotë të prokurorisë. Jam i bindur se personat e përfshirë në këtë ngjarje të rëndë kriminale e përpjekje për destabizilim këtu i referohem situatës së vështirë të krijuar në shumë kompani private sepse këto janë të dhëna konfidenciale që prishin marrëdhënien punëdhënës punëmarrës në shumë raste”
Flet për një forcim të legjislacionit dhe një ndëshkim sa më të ashpër.
Taulant Balla: “Përpjekja për të destabilizuar marrëdhëniet punëdhënës e punëmarësh është një përpjekje që do të marrë ndëshkim të ashpër. Ndëshkimi më i madh duhet të bëhet në këtë rast që të parandalohen rastet në të ardhmen.”
Balla thotë se duhet një hetim i plotë dhe për fshehje të deklarimeve apo deklarime të rreme.
“Institucionet e drejtësisë kanë nevojë të hetojnë edhe fshehje të deklarimeve apo deklarimeve të rreme sepse kjo i bën mirë një hetimi të plotë të gjithë këtij krimi i cili ka dëmtuar edhe një herë marrëdhënien shumë të rëndësishme mes punëmarrësit dhe punëdhënësit. Nuk do hyj në komente të tjera me pjesën tjetër sepse e thashë në pjesën e parë“
Veliaj me ushtri këshilltarësh
Publikimi i listës së pagave të administratës shtetërore dhe private nuk ka prodhuar vetëm një skandal që minon besueshmërinë e institucioneve që administrojnë të dhënat e qytetarëve.
Përmes këtyre informacioneve zbardhen dhe shpenzimet e tepërta të institucioneve, përmes këshilltarëve që në mjaft raste rezultojnë të punësuar në disa institucione sa për të marrë rrogën ndërkohë që nuk dihet kontributi konkret që ata japin për qytetarët.
Ajo që vihet re është fakti se kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka më shumë këshilltarë se çdo institucion tjetër, duke krijuar një administratë të fryrë që kushton në xhepat e qytetarëve.
Me titullin këshilltar i kryetarit të bashkisë janë plot 17 persona dhe tre të tjerë vetëm me emërtimin këshilltar.
Për pagat e këtyre personave shpenzohet një total prej mbi 2.2 milionë lekë, ose e thënë ndryshe 18 mijë euro në muaj, me një përllogaritje rreth 200 mijë euro në vit.
