Muzikë me instrumente muzikore të ricikluara
Cristina Vazquez, një adoleshente rome e cila u rrit në një lagje të Madridit, nuk e imagjinonte kurrë veten duke luajtur violinë.
Por sot ajo është e para violiniste në një orkestër që bashkon disa të rinj që përdorin instrumente të bëra nga materiale të ricikluara.
Violina e saj është bërë nga kanoçe shumëngjyrëshe, ndërsa një bas me tela ka një skateboard për trupin e tij dhe bateritë janë bërë nga fuçi plastike.

Projekti, i quajtur "Muzika e Riciklimit", synon t'i japë jetë të re mbeturinave të hedhura, duke përfituar gjithashtu të rinjtë me prejardhje nga komunitete të diskriminuara.
“Jam vërtet e lumtur, sepse më ka ndryshuar shumë jetën”, tha 18-vjeçarja Vazquez me sytë që i shkëlqenin. Sot ajo u mëson anëtarëve më të rinj të grupit.
“Orkestra më ka hapur me të vërtetë ndaj botës...Unë as që kisha shkuar kurrë në qendër të Madridit”, tha ajo.
Luis Miguel Munoz, 18 vjeç, thotë se orkestra e mbajti në rrugë të drejtë.
“Në vend që të takohesha me miqtë, preferova të dëgjoja muzikë, ta luaja dhe pak nga pak u bë një mënyrë jetese”, tha ai.

Muzika "më shpëtoi nga problemet e rrugës", tha Munoz, i cili e sheh veten duke u bërë një profesionist i flamenkos.
Projekti është frymëzuar nga orkestra “Cateura” e Paraguait, e përbërë nga muzikantë nga një lagje e varfër që u binin instrumenteve të bëra nga materialet e gjetura në një depo mbetjesh.

