Këngëtarja Valbona Peraj: I kam larë rrugët e Amerikës me lot, por ia dola. Më mungon Shqipëria

Valbona Peraj këngëtarja dhe  autorja e shumë këngëve të njohura ishte e ftuar sot në “Jeto me Orën” në një lidhje në “Skype” ku tregoi për jetën e saj në Amerikë dhe planet e saj për të ardhmen. Valbona tregoi sesi po e gjen ky fundvit.

“Ky fundvit më ka zënë goxha të angazhuar pasi kam hapur biznesin tim këtu në Amerikë. Edhe pse kam 5-6 vite që jam larguar nga aty, angazhimet e mija këtu janë të shumta” u shpreh Valbona Peraj.

Ajo tregoi se e ka marrë shumë malli për Shqipërinë.

“Mua më mungon shumë Shqipëria pasi unë kam kaluar një pjesë shumë të bukur të karrierës sime, kujtimet na kthejnë gjithmonë aty” u shpreh këngëtarja. 

Valbona tregoi edhe për vështirësitë që ka hasur gjatë emigracionit.

 “Nuk e kam menduar asnjëherë të ikja jashtë vendi, dhe ka qenë shumë e vështirë pasi unë rrugën e emigracionit e kam marrë e vetme me djalin tim pas një divorci shumë të vështirë. Unë kur kam ardhur këtu kam hedhur në kosh të plehrave të gjitha diplomat e mija, eksperiencat dhe gjithçka. Pasi erdha këtu kam pasur shumë vështirësi duke e larë me lot të gjithë rrugën nga shtëpia deri në punë apo deri tek shkolla e djalit sidomos 6 muajt e parë i kam përjetuar shumë. Por me Shqipërinë nuk ka asgjë të krahasuar” u shpreh Valbona. 

Ndër të tjera ajo tregoi se është në proces të hap edhe një biznes tjetër veç këtij që ka dhe se e gjitha kjo sakrificë ka qenë për djalin e saj.

“Këtu ka një gjë të mirë që kush ka talent të hapen rrugët dhe të gjithë këtë po e bëjë për djalin tim” u shpreh këngëtarja.

Valbona tregoi se i mungojnë shumë gjëra nga Shqipëria.

“Më mungojnë shumë gjëra nga Shqipëria. Këtu të gjitha koncertet bëhen nëpër lokale dhe këtu të mungon ai publiku i madh dhe emocioni që përjeton aty. Apo edhe kur bëjmë videoklipet, regjistrojmë zërin këtu  amerikanët nuk na kuptojnë” u shpreh këngëtarja. 

Valbona u shpreh se është krenare që shqiptarët kanë ecur përpara në shumë vende në botë por i vjen keq që shqiptarët nuk e duan njëri tjetrin. Sa për jetën private Valbona tregoi se për shkak të angazhimeve të saj ajo ende nuk ka gjetur dashurin e jetës.

Ndërsa sa për fundvitin ajo tregoi se është e hera e parë që do ta kaloj brenda vendit ku jeton.

 “Do jem pranë djalit këtë herë do të jap koncert në lokalin tim dhe do ta shijo shumë të gjithë këtë” përfundoi këngëtarja Valbona Peraj.