Pas suksesit në Holandë, balerina Klea Golikaj kthehet në Shqipëri, tregon planet për të ardhmen

Klea Golikaj është 23 vjeçarja e apasionuar dhe tepër e talentuar në fushën e baletit. Aktualisht e ka zhvilluar karrierën e saj si koreografe në shtetin e Hollandës.

E ftuar në “Jeto me Orën” Klea tregoi për vështirësitë që ka hasur gjatë këtyre viteve si dhe për planet e saj për të ardhmen. Klea tregoi se kur ka nisur pasioni i saj për baletin.

“Gjithçka nisi që në moshën 3 vjeçare më pas në moshën 10 vjeçare unë bëra audicionin për në shkollën e baletit. Edhe pse prindërit kanë  qenë paska skeptik pasi mësoja shumë dhe ata më vendosën kusht se nëse nuk dilja në vendin e parë do e lija përgjithmonë baletin. Por ja që i zhgënjeva prindërit, dhe madje ata nuk e besonin që une e kisha fituar” u shpreh Klea Golikaj.

Ajo tregoi edhe për vështirësitë që hasi gjatë rrugëtimit në balet.

“Nuk është një rrugë e lehtë shkolla e baletit mami më ka kushtuar gjithë kohën e saj të plot që unë të stërvitesha. Madje as fëmijërinë nuk e kam përjetuar si çdo fëmijë pasi nuk dilja fare të luaja por vetëm stërvitesha” u shpreh Klea.

Klea tregoi edhe sesi i lindi ideja që të largohej nga Shqipëria për studime.

“Vendosa që të largohem jo vetëm që të specializohesha në fushën e baletit klasik por edhe më tepër. Dhe vendosa të bëja disa audicione për jashtë vendi dhe zgjodha Hollandën. Aty njerëzit ishin tepër të ftohtë edukimi ishte shumë ndryshe. Dhe më priste një botë shumë e egër” u shpreh Klea Golikaj.

Në vitin e tretë të Universitetit ajo pësoi një dëmtim në kyçin e këmbës dhe që nga ai moment ajo nuk u kthye dot në balet.

“Ky ka qenë një moment shumë i vështirë për mua pasi pas dëmtimit nuk munda të rikthehem më në skenë por të paktën këtë talentin tim mund ta transmetoj tek të tjerët me anë të mësimëdhënies. Por në fillim pas dëmtimit u riktheva në Shqipëri dhe nuk doja më të isha pjesë e asgjëje që kishte të bënte me baletin por pas këmbënguljes të nxënësve të mijë vendosa që të rikthehem” u shpreh koreografia.

Ajo tregoi edhe për mësimdhënien me të vegjlit sesa të vështirë e ka.

“Unë mundohem që ata ti motivoj duke u lejuar që pas çdo mësimi të përqafohemi nëse ata nuk bëjnë  asnjë gabim apo ndonjë shpërblim me një ëmbëlsirë dhe ata janë shumë të dhënë pas mësimit sepse nuk duan që të humbasin këto shpërblime” u shpreh Klea me humor.

Klea tregoi  edhe për planet e së ardhmes.

“Kam menduar të zgjeroj pak kompaninë time, disa shfaqje të mbajtura pezull që janë shtyrë disa herë” përfundoi Klea.