Rita Petro, kujton bashkëshortin e ndjerë: Tani s'kam se kujt t’ia tregoj vështirësitë
Rita Petro një ndër poetet dhe botueset që ka kontribuar ndër vite në shkrimin e teksteve të lëndëve mësimore. Ajo ka shkruar për lirinë e individit , ka shkruar për seksin që ende në shoqërinë tonë kur diskutohet ngjall debat.
E ftuar në studion e “Jeto me Orën” Rita Petro tregoi më tepër rreth karrierës së gjatë si dhe mungesën e madhe që ndjen për bashkëshortin. Ajo tregoi sesi po e pret këtë fundviti e lumtur edhe pse ka kaluar shumë vështirësi këto vitet e fundit.
“Unë jam si një fëmijë i lumtur dhe gjithmonë e kam pasur edhe nga prindërit që ata donin që ne të gëzonim gjatë kësaj periudhë. Për më tepër që dy vitet e fundit kemi hasur shumë vështirësitë dhe humbje të mëdha nga covidi por prapë se prapë duhet të vazhdojmë përpara dhe të shijojmë jetën” u shpreh shkrimtarja.
Rita tregoi gjithashtu se kjo periudhë ka qenë një moment frymëzimi për të.
“Që në kohën e karantinës nisa një libër në prozë por për shkak të fatkeqësive dhe punëve që më ndodhën u shkëputa dhe tani jam rikthyer sërish me të njëjtin frymëzim që kam pasur më parë” u shpreh Rita Petro.
Sa për tematikën që ajo kryesisht ka në poezitë e saj ajo tregoi se lidhet shumë me lirin e individit.
“Individi duket si një fjalë e madhe por si fillim një individ duhet të njoh veten që më parë të njoh tjetrin. Kthimi në vetvete është një proces shumë i vështirë, të zgjojmë atë që fle brenda nesh” u shpreh shkrimtarja. E pyetur nga prezantuesja Ana Kallaku për vështirësitë që ka hasur si një artiste në Shqipëri,
Rita Petro tregoi se ka qenë me fat pasi ka pasur një familje me liri mendimi.
“Unë edhe motra kemi qenë më fat pasi prindërit tanë na kanë lejuar gjithmonë të shprehnim mendimin tonë. Por përtej këtij fati duhet të përballesh vetë me shumë gjëra” u shpreh shkrimtarja.
Ajo tregoi edhe për barrierat që has në vendin tonë në lidhje me temat që ajo trajton në vargjet e saj.
“ Kur ne gjejmë tema të tilla si seksi në libra apo edhe në gjëra serioze mundohemi ti trajtojmë ato në shaka ose sulmojmë. Ne të gjithë e dimë që kjo është një temë shumë e rëndësishme në jetë dhe duhet të trajtohet por ne që flasim hapur nuk na mbetet gjë tjetër veçse të durojmë” u shpreh Rita Petro.
Ndërsa për marrëdhënien e lexuesit me librin shkrimtarja tregoi se e sheh me një sy të kënaqur pasi lexuesi shqiptar ka krijuar një marrëdhënie të bukur me shkrimtarin. Rita Petro ndër të tjera tregoi edhe për mungesën e bashkëshortit të saj këtë fundvit.
“Padiskutim që e ndjej shumë mungesën e tij në këtë periudhëë pasi gjithmonë pasi festonim me të tjerët ne të dy arratiseshim vetëm dhe kalonim shumë bukur. Por sivjet I thashë vajzës që nëse ajo do jetë e lirë do arratisem me të këtë fundvit” u shpreh shkrimtarja.
Rita tregoi edhe për marrëdhënien e veçantë që kishte me bashkëshortin e saj.
“Çdo gjë e ndaja me të pasi bashkë e kishim edhe kompani gëzimet I ndaja me të edhe vështirësitë tani nuk kam se kujt t’ia them. Por kemi bërë një jetë shumë cilësore kjo është shumë e rëndësishme, kemi shumë kujtime të bukura së bashku, nuk janë pak 21 vite” përfundoi shkrimtarja.

