Kur urimet e Vitit të Ri vinin me kartolina, Koleksionisti Shamblli tregon kartolinën 100 vjeçare

Viti i Ri po afron dhe njerëzit janë gjithnjë e më shumë skeptik për mënyrën e urimit të festës njerëzve të tyre të dashur. Janë të shumta mënyrat për të uruar shëndet, dashuri dhe sukses në ditën e sotme, ndryshe nga çfarë ndodhte më parë që uroheshin nëpërmjet kartolinave.

Për të folur më shumë rreth kësaj teme, pasditen e sotme në emisionin “Jeto me Orën” në RTV Ora ishin të ftuar Mirgen Shamblli, koleksionist dhe Markejda Imeraj ekonomiste në profesion.

Në studio, koleksionisti Shambolli solli për të ftuarit kartolinën më të vjetër që ai kishte ndër vite, e cila datonte që në vitin 1921. Ai u shpreh se në të shkruhej “ Për shumë vite Vitin e Ri”.

“Kjo kartolinë ka një qind vite që është, është një ndër kartolinat më të vjetra që unë kam, e cila daton qysh në vitin 1921. Në kartolinë janë dy fëmijë me kostume popullore tradicionale shqiptare. Në të shkruhet për shumë vite Vitin e Ri.  Këtë kartolinë e kam gjetur në Korçë, është një kartolinë familjare. Dëshira për të koleksionuar kartolina ka ardhur nga një lidhje me Filatelinë, me kullat. Kartolina është një mjet urimi që lëviz në të gjitha vendet e botës”, u shpreh koleksionisti Mirgen Shamblli.

Të ftuarit u shprehën se pavarësisht se kartolinat e kanë humbur interesin e tyre krahasuar me shumë vite më parë, ende në ditën e sotme ekzistojnë urime të cilat përcillen nëpërmjet tyre.

Ndërsa Imeraj u shpreh se shumica e njerëzve kartolinat i bëjnë të personalizuara.

“Kartolina është diçka që mbetet ndër vite, është një kujtim shumë i bukur. Kam qenë skeptike kur hapa faqen e Instagramit, sepse se dija sa i duan kartolinat njerëzit në ditën e sotme. Por, tashmë kam parë që ata i duan dhe tregojnë interes ndaj tyre”, tha Markejda Imeraj.