“Never Alone Band”: Publiku i do këngët e vitit ‘90
Pasioni dhe dashuria për artin, muzikën dhe këngën ka bërë bashkë prej 3 vitesh një grup të rinjsh, të cilët kanë ngritur një bandë muzikore që e kanë quajtur “Never Alone Band”, pra Asnjëherë vetëm. Për të folur më shumë rreth këtij grupi muzikorë këtë pasdite në emisionin “Jeto me Orën” në RTV Ora ishin të ftuar tre anëtarët e bandës muzikore, Marko Sefgjini, Ledja Sulce, Joel Sefgjini.
Marko dhe Joel Sefgjini dy vëllezërit u shprehën në studio se dashuria dhe pasioni për muzikën është kultivuar ndër vite që fëmijë, pasi vijnë nga prindër artiste. Ndërsa, prej tre vitesh ishte Marko ai i cili ka marrë iniciativën e hapjes së këtij grupi muzikorë.
“Unë dhe Joeli vijmë nga një familje artistësh, kjo e cila na ka bërë t’a duam muzikën. Por, kam ndjekur edhe kurse për violinën derisa mora iniciativën për të formuar grupin “Never Alone Band” . Ne si grup performojmë kryesisht muzikë të lehtë shqip[tare, por dhe të huaj. Viti 2019 ishte shumë produktiv për neve, kemi kënduar edhe 2-3 netë ‘live’ në javë”, u shpreh Marko Sefgjini.
Ndërkohë Joeli u shpreh në studio se këngët më të pëlqyera nga publiku, janë ato të fillimit të viteve 90’.
“Këngët që publiku kërkon më shumë janë ato të fillimit të viteve 90’, kjo ndodh pasi ato janë mësuar t’i dëgjojnë ata më shumë dhe më shpesh”, u shpreh Joel Sefgjini.
Ndryshe nga dy vëllezërit, Ledia Sulce dashurinë dhe pasionin për muzikën e ka shprehur qysh në moshën 6-vjeçare. Ndërsa, u shpreh në studio se ndër këngët e saj më të preferuara për t’u kënduar janë “zemra e një gruaje” dhe “ëndrrat me vete do t’i marr”.
“Kam kënduar qysh e vogël, dhe më pas nuk e kam ndërprerë. Kënga e Aleksandër Gjoka, “zemra e një gruaje” dhe kënga e Eneida Tarifës “ëndrrat me vete do t’i marr” janë ndër këngët që i ndjej më shumë kur i këndoj” u shpreh Ledja Sulçe.
Të rinjtë e talentuar prej tre vitesh këndojnë ‘live’ në restorante dhe bare. Ata nuk janë vetëm në Tiranë, por edhe në qytetet si Durrës, Elbasan etj.
