Editoriali i “Drejt” - Kur të tradhton shteti
Nuk është ndonjë çudi që në Shqipëri ndodhi edhe skandali i publikimit të të dhënave, të cilat qytetarët ia kishin besuar shtetit të tyre. Ai është vetëm skandali i radhës në morinë e shumë skandaleve, e prej kësaj tradite skandalesh që e dominojnë jetën tonë, me gjasë nuk do të jetë as i fundit.
Privatësia dhe mbrojtja e të dhënave individuale, janë në thelbin e tyre çështje kulture e një shoqërie. Ndaj, nuk ka se si niveli kulturor i shoqërisë të mos reflektohet edhe në kulturën e funksionimit të vetë shtetit.
Sado e kulturuar të jetë një shoqëri e caktuar, ajo nuk është e vetëmjaftueshme ta përmbushë këtë përgjegjësi pa shtetin, i cili nuk është vetëm rregullator, por edhe garanti, është mbrojtësi i jetës, i privatësisë dhe i të dhënave personale të gjithsecilit.
Mirëpo ja që në realitetin shqiptar, në një shoqëri me mangësi të theksuara në standardet e një kulture të konsoliduar si qasje e asaj që ne reflektojnë në përditshmërinë tonë, për fat të keq shteti nga mbrojtësi i qytetarit, nga garanti i lirisë dhe i të drejtave të tij, bëhet shitësi i tyre e në jo pak raste shfaqet si tradhtari i qytetarit.
Skandali i publikimit të të dhënave na jep mundësinë të kuptojmë se sa i pavlerë është qytetari për shtetin dhe se sa i pandjeshëm është shteti kur është fjala për të garantuar dhe mbrojtur jetën, lirinë dhe privatësinë e qytetarit.
Mungesa e reagimit serioz dhe të menjëhershëm nga institucionet e shtetit, përpjekja për ta minimizuar e justifikuar skandalin me argumentimin qesharak dhe fyes po aq, se “ngjarje të tilla kanë ndodhur edhe në vende të tjera”, përqendrimi vetëm tek të dhënat për pagat e disa individëve dhe trajtimi më shumë si çështje kurioziteti se sa është paguar njëri apo tjetri dhe jo si cenim i standardeve të sigurisë në mbrojtjen e të dhënave që qytetari ia ka besuar shtetit të vet, janë arsye të mjaftueshme për të kuptuar se përse skandalet janë kaq të pranishme në jetën tonë.
Kjo që ndodhi, qe parathënë me sistemin skandaloz të patronazhistëve, ku të dhënat e qytetarëve u përdorën pa autorizimin e tyre, për të krijuar një rrjet okult të mbikëqyrjes dhe kontrollit mbi privatësinë e tyre.
Askush nuk reagoi dhe ata që e bënë atë sistem nuk u ndëshkuan.
Të gjithë jemi dëshmitarë të keqpërdorimit të të dhënave personale edhe më parë, e shumë prej nesh kanë qeshur e janë tallur kur të dhëna mbi shëndetit apo sëmundje të një personi, kur kartela mjekësore apo informacione për jetën private e pasuritë e njërit apo tjetrit janë hedhur në tregun mediatik apo në pazarin e konsumit publik pa asnjë ndjeshmëri njerëzore vetëm e vetëm për të denigruar, për të sulmuar dhe goditur anipse në shkelje dhe në kundërshtim me ligjin.
Pandëshkueshmëria edhe në këtë rast e ka krijuar shtegun nga ku kalon abuzimi dhe shpërdorimi.
Kështu ndodh kur të shet dhe të tradhton shteti.
