Shtohen infektimet me Covid në Vlorë, shefi i epidemiologjisë: Festat rrezikojnë rritjen e numrit të të prekurve
Muaji dhjetor në qytetin e Vlorës ka shënuar një rritje të rasteve të të prekurve me Covid. Shefi i epidemiologjisë atje, deklaron se kjo situatë pritet të përkeqësohet për shkak të festave të fundvitit. Ndërkohë vihet re edhe një shtim të interesimit për kryerjen e vaksinës anticovid.
Në qytetin e Vlorës është vënë re një rritje e infektimeve me coronavirus në muajin e fundit. Ministria e Shëndetësisë raporton se aktualisht ne Vlorë janë 221 raste aktive.
Për shefin e epidemiologjisë Agron Bashllari ky shtim i rasteve vjen si pasojë e neglizhencës së qytetarëve, ndërsa pritet që festat të përkeqësojnë edhe më shumë situatën.
"Gjatë muajit nëntor kemi një rritje të numrit të rasteve pozitivë, kurse në këtë 10 ditsh të parë të dhjetorit kemi një vlerë mesatare ditore të rasteve pozitive rreth 12 raste në ditë. Jemi në dhjetor, dihet që festat janë të shumta dhe lëvizjet e njerëzve, priten të vijnë emigrantë në familjet e tyre. Të gjitha këto përbëjnë faktor risku, që do të thotë se duhet të evitojmë grumbullimet masive ," tha mjeku.
Por krahas numrit të lartë të infektimeve, është rritur edhe interesi për tu vaksinuar.
Bashllari thotë se injektimi i dozave anticovid është mënyra më e mirë për tu mbrojtur nga virusi.
"Numri i vaksinimeve është i konsiderueshëm. Nga muaji shkurt që ka filluar vaksinimi, deri më sot janë bërë rreth 129 mijë vaksina. Ne synojmë të arrijmë në 80-90 mijë persona adult që duhet patjetër të vaksinohen," tha mjeku.
Gripi sezonal është një tjetër shqetësim për shëndetin publik, pasi ai po qarkullon në disa qytete, për këtë ekspertët apelojnë qytetarët të vaksinohen ndaj kundër këtij virusi, pasi mbivendosja e dy viruseve përkeqëson gjendjen.

