Rritja e taksave dhe energjisë, operatorët turistikë kritika bashkisë Vlorë dhe qeverisë

Rritja e taksave vendore nga bashkia e Vlorës dhe paralajmërimi  i qeverisë se prej janarit duhet të sigurojnë vetë energjinë elektrike ka shqetësuar operatorët turistike në jug të vendit. Ata i cilësuan goditje ndaj biznesit shtimin e kostove dhe kufizimet ende në fuqi.

Të mbledhur për zgjedhjen e kryetarit të ri, operatorët turistikë të jugut shpalosën problemet me të cilat hasen bizneset në zonat bregdetare.

"Të gjithë bizneseve dhe kryesisht në Lungomare na ka shqetësuar shumë rritja e taksës së pastrimit dhe lajmi që na ka shokuar më tepër është lajmi që energjia elektrike do trefishohet."

"Ne kemi 1001 probleme, që nga personeli deri te kostot e rritura."

"Nafta po shkon te 2 mijë litri."

Ervin Sota që kandidon për të zëvendësuar Vasil Bedinajn e dorëhequr ishte kritik ndaj bashkisë së Vlorës drejtuar nga Dritan Leli i cili së fundmi u rriti taksën e pastrimit.

"Bashkia e qytetit Vlorë duhet të tregojë dinjitetin e saj dhe t'i shikojë interesat e bizneseve në Vlorë."

Kreu i Operatorëve Turistikë Shqiptarë, Rrahman Kasa, nga ana tjetër theksoi indiferentizmin e qeverisë përballë shqetësimeve të biznesit.

"Nuk jemi shumë komodë në këtë pjesë, pasi në qeverinë shqiptare janë ata që nuk dëgjojnë, ose bëjnë sikur dëgjojnë."

Gjatë mbledhjes, operatorët turistikë të jugut zgjodhën bordin e ri drejtues, ndërsa për kryetarin, do mblidhen brenda 30 ditësh.