"Çudia më e madhe 3 ditë zgjat", avokatja e popullit për skandalin e pagave: Në këtë vend asgjë nuk ndodh, ligji zbatohet në mënyrë relative

Pas skandalit të patronazhistëve një tjetër database me të dhënat personale ka rrjedhur nga institucionet shtetërore.

Bëhet fjale për pagat mujore të qytetarëve privatë në administratën publike por edhe private për 637 mijë punonjës.

Në databasën e shpërndarë jepen të dhënat e qytetarëve duke nisur nga emri, mbiemri, emri i plotë, nipti i subjektit, subjekti, profesioni dhe orari i punës. Avokatja e popullit, Erinda Ballanca në një lidhje të drejtpërdrejtë në Ora News me gazetaren Matilda Mcini u shpreh se të drejtat e qytetarëve dhe afera e privatësisë është e cenuar në mënyrë të qartë nga ky veprim.

Ballanca: Çështja ka shumë aspekte dhe shumë elemente. Ka të bëjë me faktin se a janë këto të dhëna, të dhëna të mundshme për tu mbledhur? E dyta ka të bëjë me faktin se ata persona të cilët i mbledhin këto të dhëna çfarë detyrimesh kanë? A kanë detyrime për t'i ruajtur apo jo. Dhe çështja tjetër është se në një kohë dalin këto të dhëna cila duhet të jetë qasja që qytetarët kanë ndaj daljes së këtyre të dhënave. Fakti që ata e kanë këtë informacion a mund ta përdorin, dhe a duhet ta përdorin?

Në gjykimin e avokates, këto lloj të dhënash janë shumë sensitive dhe hyjnë në kuadër të të dhënave personale, i përkasin jetës dhe privatësisë së secilit dhe janë të mbrojtura si nga Kushtetuta ashtu dhe nga Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut.

Ballanca: Ajo që kemi identifikuar është së pari janë shkelur dhe cenuar të drejtat e një numri shumë të madh qytetarësh, kemi një shkelje sistematike të të drejtave të këtyre qytetarëve. Këto janë të dhëna që kanë dalë nga të dhëna zyrtare. Janë dhënë nga qytetarë dhe janë mbledhur e përpunuar nga organet tatimore. Mbajtja e këtyre të dhënave nga organet shtetërore është e ligjshme. Mbajtja e këtyre të dhënave nga një subjekt politik është e paligjshme.

Avokatja shtoi se sistemi tatimor dhe AKSHI sipas ligjit e kanë të lejuar t'i mbajnë këto të dhëna, por problemi nuk është me mbajtjen, problemi ka të bëjë me rrjedhjen e tyre.

Ballanca: Në këtë rast organet e specifikuara duhet të identifikojnë cila database konkrete ka dalë, pra e cilit prej këtyre institucioneve dhe ata persona që kanë detyrimin për t'i kontrolluar se si ruhen të dhënat dhe për të garantuar që këto të dhëna nuk përdoren për qëllime të tjera përvese qëllimit të ligjshëm që është ai i raportimit të të ardhurave për shkak të pagesës së tatimeve, kontrollori duhet ta garantojë këtë gjë dhe të jetë përgjegjës. Këtu do hyjnë në lojë edhe autoritete të tjera, qoftë Prokuroria, qoftë Komisioneri për  mënyrën se si janë mbrojtur të dhënat nga ato organe që kishin detyrë për t'i mbrojtur.

Avokatja u shpreh se në momentin që shkelet ligji, dhe në rastin konkret ka një rrjedhje të paautorizuar, ka disa vepra penale të kryera për të dhënat personale të shumë qytetarëve duhet mbajtur një qëndrim shumë i fortë dhe i rreptë e zero tolerancë.

Ballanca: Kjo nuk ndodhi në rastin e parë me patronazhistët dhe prandaj të gjithë njerëzit mendojnë se mund t'i vjedhin përsëri të dhënat e tjera të qytetarëve, t'i përdorë ato sepse në këtë vend asgjë nuk ndodh. Çudia më e madhe 3 ditë zgjat dhe ky është shqetësimi që unë kam si avokate e popullit. Sa herë që ne do mundohemi të adresojmë një problematikë të caktuar nuk do gjejmë zgjidhje pasi te ne ligji dhe zbatimi i ligjit është i bërë në mënyrë relative. Nuk kemi qasjen që nëse ligji shkelet, çështja duhet të adresohet në mënyrë të menjëhershme.

Ballanca shtoi se duhet kërkuar llogari te institucionet shtetërore, pasi zbatimi i ligjit ndonjëherë po, ndonjëherë jo, dhe disa herë ndoshta është një sjellje e cila do të na çojë në dëme edhe më të mëdha. Ajo përsëriti dhe një herë se duhet të kemi tolerancë zero ndaj atyre personave që në një mënyrë apo në një tjetër shkelin ligjin në mënyrë kaq flagrante dhe këtij hetimi i duhet shkuar në fund në mënyrë të shpejtë. Sipas saj,  duhet gjetur fajtori në mënyrë të qartë.

Interevistoi Matilda Mcini, përgatiti Xhuljana Zhuleku