Paralajmërimi i Gjukanoviç: Në janar rrëzohet qeveria! Tjetër goditje për "Open Balkan"nëse ai vjen në pushtet

Pak javë nga tërheqja e opozitës për votëbesimin e qeverisë, presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, partia e të cilit ka numrin më të madh të deputetëve në parlament, thotë se qeveria e Krivokapiçit nuk i reziston janarit të 2022, çka do t’i jepte edhe një goditje iniciativës së Serbisë "Ballkani i Hapur".

Presidenti i Malit të Zi i ka dhënë fund pikëpyetjeve të kohëve të fundit lidhur me krizën politike në vend.

Në një intervistë për një televizion kombëtar, Gjukanoviç ka deklaruar se qeveria e Zdravdo Krivokapiçit nuk i mbijeton janarit të vitit 2022.

Gjukanoviç: Kushtojini vëmendje sondazheve të opinionit publik. Mbështetja ndaj qeverisë është rreth 35%, shifra më e ulët historike. Është e qartë se kjo qeveri ka shpenzuar kohën e saj dhe është e pashmangshme që në fillim të vitit të ardhshëm të kemi një qeveri të re.

Gjukanoviç u pyet lidhur me tërheqjen nga mocioni i mosbesimit në 13 dhjetor, ku tha se ka vetëm një shtyrje date, askush nuk ka ndryshuar mendjen.

Gjukanoviç: Nuk ka rëndësi data e mocionit të mosbesimit, por fakti që kjo qeveri po votëbesohet pas 1 viti e 4 muajsh nga funksionimi i saj, ndërkohë që është zgjedhur për 4 vjet. Bashkë me partnerët tanë mendojmë se kjo qeveri po i dëmton interesat e Malit të Zi dhe ajo duhet të rrëzohet.

Nëse koalicioni opozitar vjen në qeveri, iniciativa e Serbisë "Ballkani i Hapur" të cilës i është bashkuar edhe Shqipëria e Maqedonia e Veriut, merr një tjetër goditje nga Mali i Zi, pasi lideri i partisë më të madhe në vend, Gjukanoviç e ka kundërshtuar nismën, duke e quajtur atë marketin politik dhe aspak serioze.