Vetëm një ditë liri, gjykata cakton edhe 30 ditë paraburgim për ish-shefin e sigurimit të Maqedonisë

Nuk ka zgjatur shumë liria për ish-drejtorin e DSK-së në Maqedoninë e Veriut, Sasho Mijallkov.

‍Këshilli penal i Gjykatës Themelore Penale njoftoi sot se ka vendosur edhe 30 ditë paraburgim për Sasho Mijallkov për “pastrim të parave dhe produkteve të tjera të veprës penale” në rastin e njohur në publik si "Parcelat në Vodno".

Këshilli e ka pranuar propozimin e prokurorit publik të Prokurorisë Publike Themelore për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, i cili pasdite parashtroi propozimin, pasi paraprakisht Gjykata e Apelit në Shkup e pranoi ankesën e Mijallkovit dhe garancinë mbi 11 milionë eurosh, pas çfarë solli vendim që t’i shqiptohet masë e kujdesit.

Në kumtesën e Gjykatës penale të Shkupit thuhet se Këshilli konsideron se janë plotësuar kushtet e nenit 165, përkatësisht se ekziston rreziku nga arratia.

Edhe prokurori vlerëson se përkundër garancisë së dhënë dhe masave të përcaktuara të sigurisë, ekziston rreziku i arratisjes dhe në atë drejtim ka dorëzuar propozimin për caktimin e paraburgimit.