Samiti i “Open Balkan” në Tiranë, Shasha: Ishte plot hiperbolizime, deklarata dhe lëvdata

Analisti Demush Shasha, është shprehur se takimi i radhës i “Ballkanit të Hapur”, mes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, dhe Serbisë, ishte një samit me plot hiperbolizime, deklarata, lëvdata.

Në një intervistë për Ora News, me gazetaren Matilda Mcini, është shprehur se Edi Rama, Aleksandër Vuçiç, dhe Zoran Zaev po shfrytëzojnë “Open Balkan” që të projektojnë një lloj pushteti paqësor.

Demush Shasha: Në mungesë të rezultateve konkrete që iniciativa e ‘Ballkanit të Hapur’ ka prodhuar këto dy vite, dëgjuam hiperbolizime te zakonshme nga ana e tre liderëve, por në veçanti nga ana e Ramës dhe e Vuçiç. Ishte një samit me plot hiperbolizime, deklarata, lëvdata. 3 liderë që pasi po ballafaqohen me sfidat e jashtëzakonshme në vendet e tyre respektive, po mundohen që të shfrytëzojnë “Open Balkan” që të projektojnë një lloj pushteti paqësor. Sidoqoftë jashtë këtyre, samiti u karakterizua me risinë e protestës kundër ‘Ballkanit të Hapur”.

 

Për Shashën, Kosova e cila nuk është pjesë në “Open Balkan”, këtë nismë e sheh konkurruese me “Procesin e Berlinit”. Ai thotë se Procesi i Berlinit ka synim integrimin në BE, ndërsa Ballkan i Hapur qëllim ka vetëm bashkëpunimin rajonal dhe jo rrugën drejt BE.  

Demush Shasha: Kosova, procesin e Berlinit dhe të ‘Balkanit të Hapur”, i sheh si konkurruese. Për Kosovës “Procesi I Berlinit” është një proces politik që synim ka anëtarësimin me BE dhe në këtë proces në krye të tavolinës ulet Gjermania, ndërsa Ballkani i Hapur nuk ka synimin përfundimtar integrimin në BE, por bashkëpunimin rajonal si qëllim përfundimtar, ndërsa mjet për realizimin e kësaj është krijimi I një hapësire, kur natyrshëm Serbia do të bëhet faktor kryesor, politik, ushtarak ekonomik. Për shkak të madhësisë së saj do të bëhet faktori kryesor në tavolinë.

Përgatiti Anila Kolgjini.