Omicron/ Europa po vendos masa shtrënguese kundër Covid-19
Udhëheqësit evropianë po rivendosin masa shtrënguese kundër Covid-19, pasi varianti i ri Omicron vazhdon të përhapet në të gjithë kontinentin.
Gjermania dhe Portugalia janë ndër vendet që kanë njoftuar kufizime pas Krishtlindjeve dhe masa më të rrepta, për sa i përket, distancës sociale.
Omicron është aktualisht lloji dominues i virusit në shumë vende evropiane.
Spanja ka raportuar numrin e saj më të madh të rasteve ditore që nga fillimi i pandemisë, ndërsa Franca ka paralajmëruar se rastet ditore së shpejti mund të kalojnë 100,000.
Ministri francez i Shëndetësisë Olivier Véran tha se rritja e infeksioneve ditore në vend, aktualisht në rreth 70,000, nxitet nga varianti Omicron, i cili sipas tij ka të ngjarë të bëhet varianti dominues deri në fillim të janarit.
Rritja e rasteve në të gjithë Evropën do t'i shtyjë sistemet shëndetësore drejt pragut të kolapsit, ka paralajmëruar zyrtari më i lartë i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në kontinent.
