Delvinë/ S'ka treg për ullinjtë, banorët: Prodhimi është i bollshëm, nuk kemi ku ta çojmë
Në fshatin Vllahat, të Delvinës banorët janë në sezonin e mbledhjes së ullinjve.
Fshati shumë pranë Delvinës, ka një numër të madh banorësh që kanë investuar në kultivimin e ullinjve.
"Në 400 rrënjë ullinj, pa ujë, me shumë djers, marrim prodhimin minimal, që as atë nuk e tregtojmë."
Edhe pse prodhimi është i bollshëm, banorët thonë se nuk do të fitojnë asgjë monetarisht.
Kjo sepse prej vitesh produkti i tyre nuk gjen treg.
"I kam mbjell të gjitha tokat, i kam mbjellë me ullinj, i kam mbjellë me vreshta. Prodhimin ku ta çojmë? Nuk kemi ku ta çojmë."
Do t'i krip, deri më tetë, nëntë muaj rrojnë, pastaj do t'i hedh në rrugë, sepse nuk bëjnë, nuk hahen më."
Fabrikat nuk e marrin ullirin për vaj, ndërsa vaji i viteve të kaluara është ende pa shitur.
Ky i moshuar e ka të vetmen mënyrë të ardhurash, për familjen e tij të madhe fitimin nga shitja e ullinjve.
"Në moshën 70 vjeç bashkë me plakën punojmë, për t'i dalë në krahë jetës, t;i qendrojmë në krah fëmijëve, por shumë e vështirë."
Të tjerë janë kthyer nga emigracioni dhe kanë investuar të gjithë kapitalin e tyre, në hektarë me ullinj.
"U kthyem nga Greqia për më mirë këtu. Tani ka falimentuar çdo gjë."
Në fshat thonë se janë braktisur nga pushteti, edhe ullinjtë edhe rrushi kanë mbetur stok nga mungesa e tregut.
Një pjesë të mirë të tokave i kanë dhënë me qira, për kullota për shkak të mungesës së ujit, që i pengon ti mbjellin ato.
"90% e tokave janë për bagëtitë. I kanë dhenë me qira njerëzit dhe janë për bagëtitë. Arsyeja është se nuk ka ujë"
Vllahati është nga shumë fshatrat e Delvinës ku puna dhe mundi i fermerëve mbetet stok.
